Denoncim nga qytetarët: Hoteli “Pogradeci” ka zaptuar të gjithë trotuarin në një nga rrugët kryesore të qytetit

Pogradec – Një denoncim i ardhur nga qytetarët ngre shqetësimin për zaptimin e trotuarit nga subjekte private në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Pogradecit. Konkretisht, bëhet fjalë për biznesin Hotel Pogradeci, i cili sipas denoncuesve, ka zënë të gjithë hapësirën publike përpara objektit të tij, duke e bërë të pamundur kalimin e lirë të këmbësorëve.

“Që nga ‘Perla’ e deri te ‘Pallati i Madh Kapri’, i gjithë krahu i djathtë i rrugës është pa trotuar,” – shprehet një banor lokal, duke shtuar se zaptimi është bërë në mënyrë të tillë që qytetarët detyrohen të ecin në rrugë, mes makinave, duke rrezikuar jetën çdo ditë.

Sipas denoncimit, kjo situatë ndodh në një nga vetëm tre rrugët kryesore që përshkojnë qytetin, çka e bën akoma më shqetësuese mungesën e një reagimi institucional. “Ja ku e ke, është i gjithë trotuari i zënë!” – thotë qytetari, duke kërkuar nga autoritetet një kontroll urgjent në terren.

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për pushtimin e hapësirave publike në Pogradec nga bizneset private, por rasti në fjalë ngre sërish nevojën për ndërhyrje nga bashkia dhe strukturat përkatëse.