Deputetët e qarkut të Tiranës do të raportojnë sot para kryeministrit Edi Rama për problematikat që kanë hasur gjatë kontakteve me qytetarët. Takimi nis në orën 08:30 dhe do të mbahet në një prej hoteleve në kryeqytet.

Pjesë e takimit do të jenë edhe drejtorët e bashkisë së Tiranës. Ky është takimi i dytë i këtij formati, pas atij të zhvilluar dy javë më parë, kur Rama u kërkoi deputetëve të zbrisnin në terren për të evidentuar shqetësimet e qytetarëve.
Takimi vjen në vijim të aksioneve për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe pas një turi vizitash të kryeministrit në disa bashki të vendit. Tre ditë më parë, Rama zhvilloi një tjetër takim me të gjithë kryebashkiakët në Durrës, ku pati edhe kritika për disa prej tyre.