Kur Reforma në Drejtësi nisi të përmendej me frikë dhe shpresë, askush nuk e mendonte që do të vinte një ditë ku prokurorët e “pastër” do të bënin të njëjtat mëkate si ata të vjetrit vetëm me kravatë më të hollë dhe me laptop në vend të dosjes së pluhurosur.

Sot, dy fytyra të kësaj drejtësie të re Elsa Gjeli dhe Olsi Dado po tregojnë se çfarë ndodh kur ndërrohet ngjyra e bojës, por mbetet po ajo muraturë që mbështet pushtetin dhe hedh në kosh ligjin.

Elsa Gjeli prokurorja që nuk e pa Thethin

Zonja Gjeli u emërua në korrik 2024, mes brohoritjeve për një brez të ri prokurorësh që nuk do të njihnin më telefonata nga lart, apo presione nga poshtë. Por kur një biznesmen pa leje ndërton një “fshat turistik” në mes të Thethit, në një zonë të mbrojtur kombëtare, dhe ti si prokurore refuzon të hetohesh, atëherë nuk ke ardhur në sistem për drejtësi, por për shërbim të heshtur.

Kjo nuk është thjesht një dosje e hedhur në kosh. Kjo është një sinjal i frikshëm se drejtësia “e re” nuk është as më e guximshme, as më e drejtë. Është thjesht më e heshtur, më konformiste dhe ndonjëherë më e përkulur se ajo që përndoqi dikur malësorët për ndonjë lopë të vrarë.

Olsi Dado, drejtësia që ndërton kate shtesë

Nga ana tjetër kemi Olsi Dadon. Prokurorin e çështjes “Veliaj”, i cili nuk duhej të ishte aty. Jo sepse nuk kishte grada apo eksperiencë, por sepse kishte një interes personal të drejtpërdrejtë ndaj subjektit që duhej të hetonte. Dado i kishte kërkuar Bashkisë Tiranë leje ndërtimi për një pallat 9-katësh. Nuk ia dhanë. Dhe çuditërisht, një vit më vonë, u shfaq me dosjen e Veliajt në dorë.

Të njëjtin njeri që nuk i dha leje, tani Dado duhet ta hetojë. Dhe në vend që të vetëpërjashtohej siç ia kërkon etika më minimale, ai vazhdoi i acaruar, i ngarkuar emocionalisht dhe, sipas shumë analistëve, i vendosur të hakmerrej.

Kur drejtësia bëhet personale, ajo nuk është më drejtësi. Është pazari që nuk u bë dot me leje, dhe tani bëhet me dosje.

Këta dy emra Gjeli dhe Dado janë emblemë e një sistemi që pretendoi se do të pastrohej, por që në fakt vetëm ka ndryshuar fjalorin. Sot, nuk ka më dosje që mbërrijnë me zarfe nën tavolinë sot dosjet as nuk hapen fare, ose hapen nga ata që kanë inate për kate të munguar.

Reforma nuk u bë që prokurorët të hakmerren ndaj kryebashkiakëve, as që të mbyllin sytë kur betoni mbulon parkun kombëtar. U bë që qytetari të besojë se ligji është i barabartë. Por kur qytetari sheh që një kriminel i ndërtimit i shpëton pa asnjë hetim dhe një prokuror ndjek dikë që nuk i dha leje, atëherë qytetari nuk beson më dhe me të drejtë.

Ku është SPAK-u në këtë histori? E kemi parë të flasë fort për ndonjë shofer të ARRSH-së apo ndonjë tender të shkollës në Skrapar. Por kur çështja ka fytyrë politike, ose më keq konflikt interesi brenda vetë sistemit, ai bën sikur nuk sheh. Apo më saktë, sheh, por nuk vepron.

Në këtë drejtësi të re, të ndërtuar mbi dhimbje dhe shpresë, Gjeli dhe Dado janë dy simbole që e çarmatosin besimin. Nuk janë të vetmit. Por janë aktualisht më të zhurmshmit në heshtje./LEXO.AL