Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të së hënës në qytetin e Pogradecit. Një grua 52-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj në lagjen nr. 1, e djegur në rrethana të dyshimta. Fillimisht u raportua se ajo kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga flakët, por hetimet e para hedhin dyshime të forta për një ngjarje kriminale.

Viktima është identifikuar si Kozeta Teço, e cila jetonte e vetme dhe në kushte të vështira ekonomike. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune, çka përforcon pistën e hetuesve se gruaja është dhunuar për vdekje dhe më pas është tentuar të digjet banesa për të fshehur gjurmët e krimit.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar autoritetet të bien në gjurmët e një të dyshuari. Bëhet fjalë për një të ri, i cili është parë pranë pallatit ku ndodhej banesa e viktimës, në orët e para të mëngjesit, ndërsa hidhte sende në një kosh mbeturinash aty pranë.

I dyshuari është identifikuar si Ilirjan Selmani. Ai është shoqëruar nga policia dhe po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen. Dyshimet e para janë se viktima dhe i riu mund të kenë pasur një marrëdhënie intime.

Në momentin e ndalimit, ai është shprehur para kamerave:

“Po çfarë vrasje? Ç’ne unë? Nuk jam kush e ka vrarë. S’më intereson. Nuk jam unë vrasësi”, duke mohuar çdo përfshirje.

Pamjet tregojnë të riun i cili shfaqet i qeshur, ndërsa shoqërohet nga efektivët e policisë pranë vendngjarjes. Ai është pyetur për arsyen pse ndodhej në atë zonë dhe çfarë hodhi në koshin e plehrave pranë pallatit.

Ndërkohë, grupi hetimor ka vijuar kërkimet në zonë për të gjetur prova materiale që mund të lidhin të riun me vendngjarjen.

Sipas informacioneve paraprake, Kozeta Teço jetonte vetëm, ishte e pamartuar dhe pa fëmijë. Motra e saj, e cila jeton në Tiranë, ka qenë e pranishme në banesën e saj një natë para ngjarjes tragjike dhe është larguar më pas drejt kryeqytetit.

Policia dhe Prokuroria e Pogradecit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin lokal.