Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti fjalën në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele” në Bavari të Gjermanisë, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.
Në fjalën e tij për temën e Europës, Rama tha se ky kontinent është trashëgimia e përbashkët e të gjithëve. Sipas Ramës, Europa është një civilizim.
“Ja ku jemi në zemër të kësaj ëndrre, në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, gjendet edhe njëherë “e rrethuar” nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Sonte, muzika na bën ftesë të kujtojmë se Europa nuk ka qenë veç një traktat apo një monedhë, as thjesht një Parlament apo treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën, një mënyrë për të besuar siç besonte Ludvigu”, u shpreh Rama ndër të tjera.
“Herrenchiemsee Festspiele” është festival muzikor i përvitshëm që mbahet në ambientet Pallatit “Schloss Herrenchiemsee” të ndërtuar nga Mbreti Ludwig II.
Kryeministri Edi Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Bavari të Gjermanisë, ku u prit nga Kryeministri Markus Soder.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
I dashur Erik,
Të nderuar mikpritës,
Zonja dhe zotërinj,
Të gjendesh këtu, në ishullin Herrenchiemsee, nën harqet e një pallati që lindi jo nga politika, por nga një ëndërr — një ëndërr për bukurinë, vetminë dhe përtejshmërinë — do të thotë të ndjesh diçka më të madhe se arkitektura, më të qëndrueshme se guri. Do të thotë të përqafosh një ide që është bërë e përjetshme. Dhe të ftohesh këtu, përpara jush, në këtë rast të posaçëm, nuk është thjesht nder, është një privilegj i rrallë, që do ta mbart me vete për gjithë jetën.
Mbreti Ludvig II, sovrani bavarez që ndërtoi këtë vend, u quajt i marrë. I çmendur sepse harxhonte pasuri jo për ushtri, por për Vagnerin. Jo për pushtime, por për përsosjen e së bukurës. I marrë, me fjalë të tjera, sepse zgjodhi shpirtin jo shpatën. Dikur, ai tha: “Dua të mbetem një enigmë e përjetshme për veten dhe për të tjerët.” E ashtu, ai u bë diçka tjetër — romantiku i fundit i madh i pushtetit. Njeriu që nuk sundoi me dekrete, por me ëndrra.
Ja ku jemi sot, në zemër të asaj ëndrre, në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, gjendet edhe njëherë e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Sonte, muzika na bën ftesë të kujtojmë. Të kujtojmë se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Një mënyrë për të besuar, siç besonte Ludvigu, se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por një mënyrë të jetuari.
Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Rezistencë ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor. Ne, në Shqipëri, e dimë ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra, jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë, të shkëputur nga simfonitë dhe sonatat që mbushnin sallat e koncerteve të Europës së lirë. E megjithatë, edhe atëherë, muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret.