Ndërsa Europa dhe pjesa më e madhe e botës vuan nga i nxehti ekstrem veror, kapriçot e motit nuk ndalen së surprizuari. Përmbytje jo vetëm në Teksas të SHBA-ve, por edhe në veriun e Italisë.

Lombardia ndodhet prej ditës së sotme nën pushtetin e ujërave. Mot i keq në Komo dhe Milano bëri që 13 fluturime të devijoheshin për në Orio al Serio të Bergamos. Autoritetet dhanë alarm portokalli për stuhi, informon “La Repubblica”.

Që nga mëngjesi i sotëm (5 korrik), shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi të forta kanë goditur të gjithë Lombardinë. Liqeni i Komos doli nga shtrati pas përmbytjes dhe disa familje u evakuan, por nuk raportohen të lënduar apo viktima.

Autoritetet italiane kanë lëshuar alarm portokalli për stuhi të forta, ndërsa liqeni i Komos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në zonat përreth. Gjendja është bërë kritike edhe në pellgun e Sevesos, i cili është aktivizuar për të menaxhuar prurjet e shumta.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e mëtejshme.