Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.
Sipas vendimit të FIFA-s, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe me detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të zhvillohet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun. Ky penalizim vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimin e gjesteve dhe mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare.
Federata e konsideron këtë vendim një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik, që dëmton jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha Kombëtaren shqiptare.
Në reagimin e saj, FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve kuqezi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.
“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton,” thekson Federata në komunikatën e saj.