Një foto që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale pretendohet gabimisht se tregon ish-kancelaren gjermane Angela Merkel si adoleshente, përkrah lideresh të tjera botërore si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Postimet që ndajnë këtë fotografi bardhë e zi pretendojnë se ajo tregon Merkel-in adoleshente ulur pranë ish-kryeministres britanike Theresa May dhe Ursula von der Leyen.
Teksti mbi foto pyet:
“Sa e mundur është që tri shoqe të fëmijërisë të rriten dhe të qeverisin tri vende të ndryshme?”
Kjo nuk është hera e parë që fotografia shfaqet në internet dhe shkakton konfuzion një postim në platformën X më 25 korrik arriti mbi 725 mijë shikime.
Megjithatë, edhe pse fotografia është e vërtetë, pohimet që e shoqërojnë janë të pavërteta.
Përputhje të dyshimta
Për të filluar, ka disa mospërputhje që e hedhin poshtë pretendimin.
Edhe pse mbishkrimi i postimit përmend Merkel, May dhe von der Leyen si personazhe të fotos, vajza në pjesën e poshtme djathtas të fotografisë është në fakt ish-presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaitė, dhe jo Ursula von der Leyen.
Gjithashtu, ndonëse von der Leyen ka shërbyer në kabinetin e Merkel-it midis viteve 2005 dhe 2019, ajo kurrë nuk ka udhëhequr një shtet çka bie ndesh me pretendimin në tekstin e fotos.
Origjina e fotografisë
Duke përdorur kërkimin e kundërt të imazheve, Euroverify zbuloi se fotografia buron nga një artikull i revistës Time, publikuar në vitin 2015. Në atë kohë, Angela Merkel sapo ishte shpallur “Personi i Vitit” nga kjo revistë prestigjioze.
Përshkrimi i fotografisë në artikull thotë se Angela Kasner emri i vajzërisë së Angela Merkel-it është e para në të majtë, në një festë të Vitit të Ri në Berlin, në vitin 1972.
Edhe pse Euroverify nuk mundi të identifikojë vajzat e tjera në fotografi, Komisioni Evropian ka konfirmuar më herët për mediat se Ursula von der Leyen nuk është në atë fotografi.
Në platformën Reddit, një përdorues shpërndau një foto të von der Leyen-it si adoleshente e cila u vërtetua si autentike nga Euroverify, pasi është publikuar më parë nga media si Daily Mail.
Ndërkohë, zyrtarë lituanezë thanë për Euroverify se Grybauskaitė nuk është në këtë foto.
Gjithashtu, fotot e fëmijërisë së Theresa May, të publikuara në Daily Mail dhe media të tjera, nuk përputhen me asnjë nga vajzat në fotografi.
Ku i kaluan këto lidere vitet e adoleshencës?
Euroverify ka zbuluar se kjo fotografi është shpërndarë me pretendime të rreme që nga viti 2018.
Në atë kohë, përdoruesit nuk përmendnin von der Leyen-in, por pohonin se në foto ishte Grybauskaitė, e cila është rritur në ish-Bashkimin Sovjetik.
Në realitet, lideret që supozohet se shfaqen në këtë fotografi janë rritur në vende dhe kushte shumë të ndryshme.
Ursula von der Leyen, e lindur në vitin 1958 nga prindër gjermanë, kaloi fëmijërinë në Bruksel, para se familja të kthehej në Gjermani në vitin 1971, pasi babai i saj u përfshi në politikën kombëtare.
Angela Merkel, edhe pse e lindur në Hamburg, u zhvendos me familjen në Gjermaninë Lindore kur ishte vetëm tre muajshe.
Theresa May, që ishte Kryeministre e Britanisë midis 2016 dhe 2019 periudhë kur udhëhoqi procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja u rrit në Oxfordshire të Anglisë.
Pse këto pretendime janë të rrezikshme
Pretendime të rreme të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besueshmërinë e institucioneve evropiane dhe të vendeve anëtare, duke përhapur lajme të pavërteta dhe keqinformim në publik.