Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar planin e presidentit francez Emmanuel Macron për të njohur një shtet palestinez. Qëndrimi u bë me dije nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i cili u shpreh se vendimi është i pamatur dhe i shërben vetëm propagandës së Hamasit.
“Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë me forcë planin e Emmnuel Macron për të njohur një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe pengon paqen. Është një shuplakë në fytyrë për viktimat e 7 tetorit.”, shkroi Rubio.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi menjëherë vendimin francez, i cili, shkroi në një deklaratë, se “shpërblen terrorin”.
“Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një trampolinë për shfarosjen e Izraelit, jo për të jetuar në paqe pranë tij”, komentoi Netanyahu. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shtoi: “Ne nuk do të lejojmë krijimin e një entiteti palestinez që do të minonte sigurinë tonë dhe do të rrezikonte ekzistencën tonë”.
Hamasi përshëndeti angazhimin e Francës për të njohur shtetin e Palestinës si një hap pozitiv, duke u kërkuar vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë pavarësisht kritikave izraelite.
“Ne besojmë se ky është një hap pozitiv që shkon në drejtimin e duhur për t’i sjellë drejtësi popullit tonë të shtypur palestinez dhe për të mbështetur të drejtën e tyre legjitime për vetëvendosje”, tha Hamasi në një deklaratë pas njoftimit të Presidentit francez Emmanuel Macron se Parisi do ta njihte zyrtarisht shtetin e ri në shtator.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve në botë, veçanërisht kombeve evropiane dhe atyre që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, të ndjekin shembullin e Francës”, shtoi Hamasi.