Ushtria izraelite ka rikthyer ndalimin e qasjes në Detin Mesdhe përgjatë Rripit të Gazës, një kufizim që është teknikisht në fuqi që nga 7 tetori 2023, por që rrallëherë ishte zbatuar ndaj banorëve përveç peshkatarëve.
Ky kufizim, vjen në një kohë kur banorët e Gazës po përballen me mungesë ekstreme uji, temperatura përvëluese dhe kushte të mjerueshme humanitare në kampet e mbipopulluara.
“Janë vendosur kufizime të rrepta sigurie në zonën detare pranë Gazës, hyrja në det është e ndaluar”, shkruan zëdhënësi arab i ushtrisë izraelite Avichay Adraee në një postim në platformën X.
“Kjo është një thirrje për peshkatarët, notarët dhe zhytesit, qëndroni larg detit. Hyrja në plazh apo në ujë përgjatë gjithë Rripit të Gazës rrezikon jetën tuaj.”
Ndonëse ky kufizim ishte shpallur që në fillim të luftës, ai nuk ishte zbatuar rreptësisht ndaj civilëve të zakonshëm. Nuk është dhënë ndonjë afat se sa do të zgjasë masa apo cilat janë konkretisht arsyet pse palestinezët po ndalohen të futen edhe në det.
Për mijëra banorë të zhvendosur që strehohen pranë bregdetit, deti ka qenë e vetmja hapësirë për t’u freskuar, për t’u larë, apo për të siguruar ushqim. Mbyllja e plotë e vijës bregdetare ka shtuar ndjeshëm zhgënjimin dhe dëshpërimin në mesin e banorëve.
“Jam e dehidratuar nga uria, etja dhe vapa,” tha Rajaa Qudeih, një nënë 31-vjeçare nga Deir al-Balah.