Në jug të Vlorës, aty ku lumi i egër Vjosë përqafohet me detin Adriatik, po lulëzon një prej atraksioneve më të veçanta turistike të këtij sezoni. Grykëderdhja e Vjosës, me natyrën e saj të paprekur dhe bukurinë magjepsëse, po shndërrohet në një prej destinacioneve më të preferuara për vendasit dhe të huajt që kërkojnë aventura larg plazheve klasike.
Guidat me kajak përgjatë ujërave të Vjosës janë bërë atraksioni kryesor, duke ofruar një përvojë unike që kombinon sportin, qetësinë dhe lidhjen me natyrën. Rrjedha e qetë, peizazhet e gjelbërta dhe ajri i pastër e bëjnë këtë eksperiencë të paharrueshme për çdo vizitor.
Por aventura nuk ndalet vetëm në ujë. Zona ofron gjithashtu mundësi kampingu, net të kaluara nën qiellin me yje dhe zbulimin e traditave vendase, si peshkimi me çikë – një teknikë tradicionale që është trashëguar brez pas brezi dhe vazhdon të jetë pjesë e identitetit të kësaj zone.
Operatorët turistikë lokalë thonë se interesi për këtë zonë është rritur ndjeshëm, sidomos gjatë kësaj vere, ku kërkesat për rezervime kanë kaluar çdo pritshmëri. Turistë nga e gjithë Shqipëria, por edhe të huaj, po zgjedhin të eksplorojnë këtë perlë natyrore që shkon përtej pushimeve klasike.
Gryka e Vjosës po kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit alternativ në jug të vendit, duke ofruar aventurë, relaks dhe një lidhje autentike me natyrën shqiptare.