Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako thotë se situata me zjarret në vend është në kontroll. Në një deklaratë për mediat, Çako falënderoi të gjithë ekuipazhet që kanë marrë pjesë në terren për shuarjen e flakëve.
Çako tha se disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën, në Brosh, në Piqeras, por edhe në Bulqizë. Çako shprehet se falë ndryshimit të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme, por gjithsesi të gjitha vatrat në terren po mbahen në monitorim dhe po punohet për shuarjen e tyre.
“Pas disa ditësh operacion, ndodhemi në bazën e Kuçovës, ku kemi pasur mundësi të falenderojmë dhe të përcjellim ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë prej katër ditësh në mbështetje të ekuipazheve tona për menaxhimin e zjarreve në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, situata e zjarreve është në kontroll. Kanë qenë dy ditë shumë të ngarkuara, dy ditë dhe netë, sidomos mbrëmja dhe nata ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, çka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizimin e të gjithë forcave të strukturave operacionale të nivelit vendor, qendror, të forcave të armatosura të policisë së shtetit dhe gjithçka ka qenë e nevojshme, ashtu sikurse aktualisht vazhdojnë të jenë në operim në terren.
Disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në disa fshatra, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën. Po ashtu, problem ka pasur në Bulqizë. Por edhe në Brosh, edhe në Piqeras, ku ka pasur prezencë të shtuar të forcave dhe të strukturave, të cilët kanë mundur në mënyrë të jashtëzakonshme, së pari të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe vendbanimet e tyre. Kur jo në pak raste është dashur dhe ka dalë e nevojshme evakuimi i banorëve, derisa situata është normalizuar dhe është bërë rikthimi i tyre në vendbanimet e tyre.
Vlen të theksohet fakti që dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre, po monitorohen me forca të shumta. Dhe falë ndryshimit edhe të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë. Jemi bashkë me komandën e bazës së farkës të aviacionit, është një falenderim i jashtëzakonshëm për komandantin, por dhe gjithë stafin e pilotëve heroikë shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë sakrifikuar gjithçka këto ditë, duke ardhur në ndihmë qytetarëve, duke mbështetur strukturat operacionale në momentet më kritike, ndaj dhe falenderoj komandant Vinin”, tha Çako.