Në Shqipëri, shumëçka thuhet me fjalë. Por më e rëndësishmja ajo që ka vërtet peshë thuhet në heshtje. Dhe pastaj, ka raste kur fjalët vijnë nga burgu, dhe heshtja nga politika. Rasti më i fundit është spektakli grotesk që Ilir Meta dha me një letër që i dërgoi mikut të tij të vjetër në arrati, Arben Ahmetajt.

Në atë letër plot ndjesi të rreme, fjalë të buta dhe “Beni, Beni” të kujdesshëm, Meta e pranon pa asnjë drojë se Arben Ahmetaj është burimi i tij. Aleati i tij. Informatori. Dëshmitari i zgjedhur. Burimi i “të vërtetës” që Meta ka shitur si flamur morali për vite me radhë, aferën e inceneratorëve.

E pra, në vend që ta fshihte siç bën zakonisht politika shqiptare me njerëzit që i shërbejnë, Meta vendosi t’i thotë “faleminderit” Benit me një letër nga burgu. Dhe kështu bëri publik edhe një të fshehtë që të gjithë e dinin, por që askush nuk e kishte pranuar me zë të lartë.

Dallaverexhiu ia kthen borxhin kallëzuesit! Ilir Meta është mjeshtër i hipokrizisë. E ka ndërtuar karrierën mbi fjalë të mbështjella mirë, e ka qeverisur me pazare, dhe e ka kaluar në opozitë me histeri dhe kacavjerrje pas flamurit të drejtësisë.

Por në letrën për Ahmetajn, Meta nuk flet si një burrë që kërkon drejtësi. Flet si një bashkëpunëtor që kërkon ta mbajë të lidhur një hallkë të çmuar të zinxhirit të vjetër.

Po pse tani? Sepse Meta ka nevojë për të shpëtuar vetë. Sepse, tani që është i mbyllur, kujton me nostalgji kohën kur informatat rridhnin nga sirtarët e Ahmetajt e derdheshin në mikrofonat e opozitës.

Jo më thjesht informator, por bashkëpunëtor! Tani, në sytë e publikut, Arben Ahmetaj nuk është më ai që thjesht “denoncoi nga brenda”. Tani është pjesë e skemës së opozitës, pjesë e lojës së ndyrë ku dosjet përdoren për pushtet, jo për drejtësi.

Dhe kjo, nuk e liron nga përgjegjësia, përkundrazi. E fut në qendër të një strukture të re korrupsioni politik, ku rrjedhja e informacionit nuk bëhet për të shpëtuar vendin, por për të shpëtuar pazaret e vjetra.

Ilir Meta na tregoi me gojën e tij se Ahmetaj ishte pjesë e shtëpisë së opozitës. Dhe nuk është çudi, njëri firmoste koncesione, tjetri firmoste kallëzime.
Të dy bashkë firmosnin narrativën që tani ka rënë, se kush ka më shumë të drejtë të flasë për drejtësinë.

E vërteta, maskat ranë! Kjo letër është çasti kur maskat ranë. Tani dimë me siguri që opozita nuk donte drejtësi për inceneratorët donte kontroll mbi skandalin. Donte ta përdorte. Ta kanalizonte. Ta mbyste kur nuk i duhej.

Arben Ahmetaj nuk foli për të ndihmuar Shqipërinë. Foli për të shpëtuar kokën. Dhe Meta e përdori. Tani, kur fatura është shtruar në tavolinë, po i dërgon një letër falënderimi, me tone të përmalluara si për një shërbëtor besnik.

Fundi i moralit të rremë! Nëse dje ishte dita kur Meta u ndalua, sot është dita kur u zhvesh plotësisht morali që ka luajtur për vite, ai i opozitarit të përndjekur, i burrit që kërkon drejtësi.

Në të vërtetë, ai është po aq pjesë e llumit sa ata që akuzon. Thjesht ka pasur fatin të ketë një Ben në dorë.

Kur drejtësia vjen nga pazari, e vërteta zhduket. Kur burimi është Ahmetaj dhe zëri është Meta, gjithçka tjetër është farsë.