Më 7 qershor 2024, pas disa vitesh procedurash arbitrazhi, gjykata ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol. Mosmarrëveshja lidhej me procedurat e rikuperimit të kostove sipas Licencë-Marrëveshjes dhe Marrëveshjes Hidrokarbure të nënshkruar në vitin 2004 për operacionet në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata ndërkombëtare pranoi interpretimin e Shqipërisë për shumë nga pikat kryesore të marrëveshjes, duke sqaruar se vetëm kostot specifikisht të listuara në marrëveshje janë të rikuperueshme. Kjo përjashtoi, ndër të tjera, shpenzime të tilla si pagesat për operacionet kanadeze të Bankers apo pagesat për marrëveshje me mirëkuptim me kompani të tjera për furnizimin me naftë. Gjithashtu, Tribunalit i rezultoi se disa investime të pretenduara në marrëdhëniet me komunitetin ishin të ekzagjeruara ose jopërputhëse me kriteret e marrëveshjes.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se kontratat e rëndësishme nënkontraktore duhej të ishin dhënë përmes proceseve transparente të tenderimit. Si rezultat, mbi 236 milionë dollarë nga kostot e pretenduara nga Bankers dhe të kundërshtuara nga AKBN u refuzuan dhe u shpallën të parikuperueshme. Kjo do të thotë që Bankers Petroleum duhet t’i kthejë Shqipërisë shuma të konsiderueshme për llogari të prodhimeve nga fusha e Patos Marinzës, gjë që pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e të ardhurave fiskale dhe tatimin mbi fitimin për shtetin.

Ky vendim përfaqëson një precedent të rëndësishëm ligjor dhe financiar për të gjitha marrëveshjet e ngjashme të licencimit në industrinë e hidrokarbureve në Shqipëri dhe vlerësohet si një përligjie e fortë e auditimeve të shtetit shqiptar mbi aktivitetet e kompanive të naftës.

Në vijim të këtyre zhvillimeve, më 2 korrik 2025, një operacion i fuqishëm ndërinstitucional u krye nga Policia e Fierit dhe Drejtoria e Tatimeve, duke çuar në arrestimin e CEO-së kinez të Bankers Petroleum, Hongping Xiao, dhe ish-drejtorit të përgjithshëm Leonidha Çobo, për detyrime tatimore dhe doganore të papaguara në shifra milionëshe. Hetimet, të nisura fillimisht që në vitin 2018 gjatë mandatit të Damian Gjiknurit si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë zbuluar dyshime për shmangie tatimore sistematike, falsifikim dokumentesh dhe evazion fiskal.

Gjithashtu, autoritetet po shqyrtojnë ndikimin e ndotjes mjedisore të shkaktuar nga kompania në zonën e Marinzës, ku komuniteti lokal ka ngritur shqetësime të vazhdueshme ndër vite. Gjatë aksionit në zyrat e kompanisë në Fier, forcat e rendit hynë me forcë në ambientet e mbyllura, ndërsa hetimet për strukturat financiare dhe pagesat e munguara vijojnë.

Ky zhvillim i fundit tregon për vendosmërinë e shtetit shqiptar në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në sektorin e naftës, si dhe për angazhimin për të mbrojtur interesat financiare dhe mjedisore të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me investitorë seriozë, në përputhje me standardet më të larta sociale dhe mjedisore./lexo.al