Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka reaguar sot në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetas i mitur duke hedhur mbeturina në lumin Drini i Zi.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kryen verifikimet përkatëse dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore, referuan materialet në Prokurori. Si rezultat, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, në ngarkim të shtetasit M. M., 64 vjeç, banues në fshatin Muhurr.
Policia bën me dije se M. M., gjatë punës në lokalin e tij, kishte lejuar një të mitur të hidhte mbeturina në ujërat e lumit Drini i Zi, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Për këtë shkelje, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit ka vendosur ndaj shtetasit M. M. edhe një masë administrative në vlerën 13 milionë lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit, duke garantuar reagim të menjëhershëm, të drejtë dhe të paanshëm.