Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në rang vendi, nga të cilat 4 mbeten ende aktive. Vatrat janë përhapur në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec, Delvinë, Memaliaj dhe Malësi e Madhe.

Zjarret aktive janë regjistruar si më poshtë:

– Qarku Dibër – Parku Kombëtar i Lurës: Në zonën “Liqeni i Luleve” janë dy vatra të shtrira në një terren të vështirë. Njëra vatrë është afër liqenit të Zi, ku ndihmojnë 23 forca operacionale dhe 30 forca të Forcave të Armatosura (FA). Vatra e dytë po zhvillohet në drejtim të Malit të Dejës dhe po mbahet nën monitorim për shkak të përhapjes së madhe.

– Qarku Dibër – Bashkia Bulqizë: Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër zjarri në afërsi të fshatit Krajkë ka djegur rreth 33 hektarë me dushqe, shkurre dhe barishte. Zjarri po mbahet nën kontroll nga forcat në terren.

– Qarku Fier – Bashkia Mallakastër: Në fshatin Drenovë, njësia Qendër Dukas, zjarri i rënë në një zonë me shkurre, ferra dhe pyll pishe është riaktivizuar dhe ka zgjeruar perimetrin për shkak të erës. Forcat operacionale janë në terren për ndërhyrje.

– Qarku Vlorë – Bashkia Himarë: Në fshatin Borsh, vatra e zjarrit është riaktivizuar pranë banesave. Ndërhyrja po kryhet me pompa shpine nga MZSH Himarë dhe me mbështetjen e një helikopteri të FA-së. Deri më tani janë djegur rreth 10 hektarë me shkurre.

Sipas raportimeve, nga zjarret janë djegur në total rreth 52 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar gjithsej 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale, përfshirë 50 forca dhe 3 automjete nga FA ditën e djeshme. Sot janë në veprim 30 forca ushtarake, 2 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter.

Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se për ditën e sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa niveli i rrezikut për zjarre në pyje mbetet i lartë në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, dhe i moderuar në qarqet e tjera.

Strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast konstatimi të ndonjë vatre.