Italia ka humbur ndjeshëm nga lavdia e dikurshme. Në të shkuarën Serie A shihej si maja e karrierës për një futbollist, teksa shpesh fëmijët rriteshin me ëndrrën për të luajtur në atë kampionat. Por me kalimin e viteve është ulur numri i yjeve të futbollit që zgjedhin kampionatin italian.

Serie A po josh gjithnjë e më tepër “të moshuarit” e këtij sporti. Vetëm në ditët e fundit janë zyrtarizuar tre lojtarë që janë pranë moshës 40-vjeçare. Çiro Imobile u rikthye në Itali pas një përvoje te Beshiktashi. Sulmesi 36-vjeçar është transferuar në radhët e Bolonjës, e cila këtë sezon do të provojë veten edhe në kupat e Europës.

Një tjetër emër që vjen nga Turqia është ai i Edin Xhekos. Boshnjaku 39-vjeçar do të veshë fanellën e Fiorentinës në sezonin e ardhshëm. Një tjetër bashkëmoshatar i Xhekos do t’i bashkohet Serisë A në sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Luka Modriçin. Një lojtar që ka fituar gjithçka në këtë sport, por që tashmë ndodhet në fundin e karrierës së tij.