Izraeli ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili tha se Britania e Madhe do të njohë shtetin palestinez në muajin shtator, nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim.
Ministria e Jashtme izraelite shprehet se një hap i tillë “do të përbënte një shpërblim për Hamasin”.
Më tej, në reagimin e saj, ministria thekson se njohja e shtetit palestinez në këtë fazë do të dëmtonte përpjekjet për të vendosur armëpushim në Rripin e Gazës.
Qëndrimi i orëve të fundit i Londrës i bashkohet një serie reagimesh të ngjashme nga udhëheqës të tjerë evropianë lidhur me çështjen palestineze. Presidenti francez Emmanuel Macron, në një deklaratë të kohëve të fundit, u shpreh se Franca është e gatshme ta njohë shtetin e Palestinës “në momentin e duhur”, në rast se nuk vërehet përparim në procesin e paqes.
Ai nënvizoi se një hap i tillë do të ndërmerrej në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të dërguar një mesazh të qartë politik ndaj Izraelit dhe për të nxitur zgjidhjen me dy shtete.
Në fillim të këtij viti, Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njohën zyrtarisht Palestinën si një shtet të pavarur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve që kanë ndërmarrë këtë hap në mbi 140. Kjo rritje e mbështetjes ndërkombëtare për Palestinën ka provokuar reagime të forta nga Izraeli, i cili e konsideron këtë qëndrim si të njëanshëm dhe si një kërcënim potencial për sigurinë e tij.