Edhe pas 42 tentativash, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit. Në seancën e fundit, vetëm 39 deputetë votuan pro formimit të një komisioni për votim të fshehtë, duke pamundësuar vazhdimin e procesit të zgjedhjes. Seanca do të rinis pas dy ditësh.
Kjo përpjekje e radhës u veçua nga të tjerat pasi votimi u zhvillua në mbrëmje, për dallim nga seancat e zakonshme paradite. Seanca ishte paraparë të mbahej të shtunën në mëngjes, por u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë.
Gjatë kësaj seance, kryesuesi Avni Dehari ndaloi fjalimet e deputeteve Ganimete Musliu (PDK) dhe Jehona Lushaku (LDK), të cilat kërkuan që votimi të rikthehet në formën e hapur.
Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se votimi i fshehtë nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe nuk përbën ndryshim të rendit të ditës.