Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.
Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja.
Që nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.
Kurti, duke përmendur kompromiset që sipas tij janë bërë për konstituimin e Kuvendit, theksoi se partitë që deri tani ishin në opozitë “as nuk po shtyhen e as nuk po ngrihen”.
Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordim për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.
Këto komente Kurti i bëri në nominimin zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë.
Në anën tjetër, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se partia e tij është e vetmja forcë që mund ta transformojë Prishtinën. Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpalosë platformën afatgjatë – “Prishtina 2035”./Kosovapress