Franca shpalli të shtunën një marrëveshje “historike” me Kaledoninë e Re, në bazë të së cilës territori i tronditur nga dhuna vdekjeprurëse separatiste vitin e kaluar, do të mbetet pjesë e Francës, por do të shpallet një shtet i ri.
Presidenti Emmanuel Macron kishte kërkuar zhvillimin e bisedimeve për të thyer ngërçin mes forcave besnike ndaj Francës dhe atyre që kërkojnë pavarësinë, duke ftuar zyrtarët e zgjedhur të Kaledonisë së Re, si dhe drejtues politikë, eknomikë dhe të shoqërisë civile, të mblidhen pranë Parisit për të hartuar një kornizë kushtetuese për territorin.
Pas 10 ditësh negociata, palët ranë dakord që të krijohej një “Shtet i Kaledonisë së Re”. Archipelagoja do të ruajë “një status brenda Francës, me kaledonas që do të mbeten franceze”, tha deputeti kundër pavarësisë Nicolas Metzdorf.
“Nuk do të ketë më referendume, me përjashtim të atij që do të konfirmojë këtë marrëveshje”, u shpreh ai në një mesazh dërguar AFP-së.
Prioriteti tani, sipas tij, është rimëkëmbja ekonomike e Kaledonisë së Re pas dhunës së vitit të kaluar që shkaktoi 14 të vdekur dhe vlerësohet se i ka kushtuar territorit dy miliardë euro (2.3 miliardë dollarë), duke ulur prodhimin e brendshëm bruto (PBB) me 10 për qind.
Kryeministri François Bayrou tha se marrëveshja e së shtunës – e cila ende kërkon miratim nga parlamenti dhe votim me referendum – kishte “përmasa historike”.
Me rreth 270,000 banorë dhe e vendosur rreth 17,000 kilometra larg Parisit, Kaledonia e Re është një nga disa territore jashtë Francës kontinentale, që mbetet pjesë integrale e vendit.
Ajo është qeverisur nga Parisi që nga vitet 1800, por shumë nga banorët autoktonë Kanakë vazhdojnë ta ndiejnë sundimin francez si një imponim dhe kërkojnë autonomi më të plotë ose pavarësi, informon ‘France24’.
Revolta shpërtheu në maj të vitit 2024, pasi Parisi planifikoi t’u jepte të drejtë vote mijëra banorëve jo-autoktonë që kishin jetuar gjatë në ishull, diçka që Kanakët e panë si një kërcënim për të mbetur gjithmonë në pakicë dhe për të humbur përfundimisht çdo shans për pavarësi.
Si pjesë e marrëveshjes, banorët e Kaledonisë së Re do të kenë të drejtë vote vetëm pasi të kenë jetuar në arkipelag për të paktën 10 vjet.
Referendumi i fundit për pavarësi në Kaledoninë e Re u zhvillua në vitin 2021, por u bojkotua nga grupet pro-pavarësisë për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 mbi popullsinë Kanake.
Ky ishte referendumi i tretë që nga viti 2018, dhe të tria kanë refuzuar pavarësinë e Kaledonisë së Re. Që prej referendumit të vitit 2021, situata politike në arkipelag ka qenë në ngërç. Në fillim të qershorit, Macron shpalli se dëshironte një “projekt të ri” për Kaledoninë e Re.
Marrëveshja prej 13 faqesh e shpallur të shtunën parashikon krijimin e një shtetësie kaledonase, me mundësinë që banorët të mund të kenë njëkohësisht shtetësinë franceze.
Sipas marrëveshjes, “Shteti i Kaledonisë së Re” do të përfshihet në kushtetutën e Francës, dhe vende të tjera do të mund të njohin këtë shtet. Marrëveshja përfshin gjithashtu një pakt rimëkëmbjeje ekonomike dhe financiare, që përfshin rinovimin e kapaciteteve të përpunimit të nikelit në territor.
Të dyja dhomat e parlamentit francez do të mblidhen në tremujorin e katërt të këtij viti për të miratuar marrëveshjen, e cila më pas do t’u nënshtrohet qytetarëve të Kaledonisë së Re në një referendum që pritet të mbahet në vitin 2026.