Në një aktivitet të mbajtur në ambientet e “Tirana International Hotel”, Ministri i Drejtësisë prezantoi sot për publikun dhe ekspertët e fushës projekt-draftin e Kodit të Ri Penal të Republikës së Shqipërisë, një dokument që pritet të shënojë një etapë të re në zhvillimin e sistemit penal shqiptar.
Para një audience të përbërë nga përfaqësues të lartë të drejtësisë, trupit diplomatik, botës akademike dhe shoqërisë civile, ministri theksoi se ky proces është jo vetëm një domosdoshmëri legjislative, por edhe një provë e pjekurisë demokratike të vendit.
“Kodi Penal është shtylla themelore e marrëveshjes sociale në një shtet të së drejtës. Është koha që Shqipëria të ketë një Kod të ri, të përditësuar me zhvillimet kushtetuese, shoqërore dhe ndërkombëtare”, deklaroi ministri, duke shtuar se kodi aktual, i miratuar në vitin 1995, nuk i përgjigjet më realiteteve të kohës moderne.
Sipas tij, drafti i ri është hartuar nga një grup i pavarur pune, i udhëhequr nga prof. Arben Rakipi dhe përbërë nga ekspertë të njohur të fushës penale. Ministria e Drejtësisë, siç theksoi ai, ka pasur vetëm një rol organizativ dhe mbështetës, ndërsa përmbajtja intelektuale është pronë ekskluzive e grupit të punës.
Ministri renditi pesë shtylla kryesore që justifikojnë nevojën për një Kod të Ri Penal:
Bazë e re kushtetuese, duke u mbështetur në Kushtetutën e vitit 1998;
Zhvillimet teknologjike dhe sociale, që kanë sjellë forma të reja kriminaliteti;
Reforma në drejtësi e vitit 2016, që ka riformatuar thellësisht sistemin institucional;
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë;
Procesi i integrimit në BE, që kërkon përafrim të plotë me legjislacionin evropian.
Drafti përfshin elementë të drejtësisë restauruese, mbrojtjen e viktimave, dekriminalizimin e normave të vjetruara dhe kriminalizimin e veprave të reja në fusha si korrupsioni, siguria ushqimore, mjedisi, krimi financiar dhe kibernetik.
“Ky nuk është një dokument përfundimtar. Do t’i nënshtrohet një konsultimi të hapur publik me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, akademikët, studentët dhe shoqërinë civile”, u shpreh ministri, duke shtuar se Ministria dhe Qeveria nuk do të kenë rol imponues, por vetëm do të paraqesin komentet si çdo institucion tjetër i interesuar.
Ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë për opozitën parlamentare që të përfshihet në procesin e konsultimit:
“Kodi i Ri Penal është një akt shtetëror, nuk i përket vetëm një qeverie apo force politike. Në BE shkon Shqipëria, jo një palë e vetme.”
Në përmbyllje të fjalës, ministri shprehu mirënjohje për prof. Arben Rakipin dhe të gjithë anëtarët e grupit të punës, duke e cilësuar draftin si një punë serioze profesionale, e cila do të udhëheqë shoqërinë shqiptare drejt një epoke të re ligjore dhe demokratike.
“Ne jemi të angazhuar që ky proces të ecë me seriozitetin e duhur dhe të përmbyllet me miratimin e një Kodi Penal modern për një Shqipëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj.”
Konsultimi publik për Draft Kodin e Ri Penal nis nga sot dhe do të vijojë në tryeza të hapura me profesionistë dhe qytetarë të interesuar në të gjithë vendin.