Ka përfunduar rinumërimi i votave për qarkun e Fierit, ndërsa tani pritet nisja e rinumërimit për Durrësin. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë hapur gjithsej 586 kuti, proces që u mbyll në orën 15:30.

Rezultatet tregojnë ndryshime të rëndësishme në numrin e votave, sidomos për kandidatët. PD-ja humbi 147 vota të marra pa bazë në numërimin fillestar, ndërsa PS-së i shtohen 30 vota. Kjo do të thotë se Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt mbetet pa mandat, pasi nuk arriti të marrë votat e nevojshme për të futur kandidatin e saj Azmer Duleviç në Kuvend.

Partitë e tjera kanë pësuar ndryshime më të vogla: Lëvizjes Bashkë i ulen 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim i zbriten 3 vota, ndërsa PSD-së së Tom Doshit i shtohen 8 vota.

Lëvizja më e rëndësishme u shënua te kandidatët: Zegjine Çaushi humbet mandatin pasi i hiqen 47 vota, ndërsa Maldrita Bardho i shtohen 26 vota, duke kaluar Çaushin me 9 vota diferencë edhe duke përfshirë votat e diasporës. Kështu, Bardho siguron mandatin në Fier.

Nga ana e socialistëve, Ceno Klosi humb 830 vota të pamerituara, ndërsa Klevis Jahaj fiton 498 vota më shumë në rinumërim. Në PD, Silva Hasaj humb 671 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër i partisë, ndërsa Gentian Çela humb 192 vota.

Anëtari i KAS, Ledio Braho, tha për Report TV se do të shqyrtojnë të dhënat e rinumërimit dhe më pas do të vendosin nëse do të ketë kallëzim penal lidhur me votat e pamerituara.

Procesi i rinumërimit në Fier pritet të përfundojë sot, ndërsa më pas do të nisë rinumërimi i 360 kutive të Durrësit, përfshirë edhe votat e diasporës.