Ka një përpjekje konstante nga opozita e Berishës dhe shtypi rreth tij për të shpjeguar gjithë veprimtarinë e SPAK përmes veprimtarisë politike të Edi Ramës. E gjithë kjo vetëm që të mos rrëzohet teza e Sali Berishës dhe Ilir Metës që SPAK komandohet nga Edi Rama. Dhe tani nuk shpjegojnë më lëvizjet e SPAK apo shpeshherë tejkalimet e të drejtave të tij duke u kthyer në një organ represiv, por me lëvizjet politike të Ramës shpjegojnë SPAK-un.
Dje, ndërsa kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët e Tiranës dhe drejtuesit e Bashkisë, lajmi nuk ishte se çfarë u tha, por a do bëhen zgjedhje në Tiranë, “a e shiti Erion Veliajn?”, “a i doli zot?” etj. E gjithë kjo për të kompleksuar Gjykatën e Lartë, meqë ajo do shqyrtojë çështjen “Veliaj” së shpejti.
Në fakt, veprimtaria e SPAK pas 7 vitesh punë është një bilanc i lavdërueshëm sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, por nuk është aspak një bilanc i shkëlqyeshëm në betejën kundër korrupsionit.
I vetmi bilanc pozitiv në veprimtarinë e SPAK lidhur me korrupsionin është statistikor, dhe është distanca që ai ka nga pushteti politik dhe goditja e tij pa rezerva në të dy krahët. Por cilësia e hetimit dhe standardet që ka krijuar janë turpëruese për pritshmërinë që ka pasur shoqëria për të.
Përveç Lefter Kokës, ne nuk kemi ende asnjë akuzë të formuluar për një zyrtar të lartë që e lidh drejtëpërdrejtë me një aferë korruptive, por shumica e çështjeve kanë kaluar për hetim pasuror apo hetim ndaj veprimtarisë së grave të tyre.
Për Ilir Beqajn hetohet restoranti i gruas, për Arben Ahmetajn hetohet një vilë e dyshuar se është e ish-gruas, për Ilir Metën hetohet pse ka përdorur Monika një kartë krediti të kushërit të saj biznesmen, për Erion Veliajn hetohet se mos biznesmenët që kanë bërë donacione për aktivitete kulturore të fondacionit gruas së tij, mund të kenë përfituar nga bashkia e tij.
Këto mund të jenë edhe korrupsion, por akuza me të cilat i kanë paraburgosur dhe propaganda gebelsiane e zyrës së shtypit të SPAK ka helmuar opinionin publik me fakte të rreme dhe propagandë, dhe tani ka më shumë se dy vite që nuk mbyll dot asnjë dosje për figurat më të larta të arrestuara paraprakisht në mënyrë skandaloze.
Në vend që viktimat e kësaj padrejtësie juridiko-politike të bëjnë betejë për të drejtat e tyre, duan të bëjnë betejë për t’i dhënë të drejtë Sali Berishës që SPAK varet nga Rama, edhe pse Sali Berisha është i vetmi politikan i lartë i privilegjuar haptazi nga SPAK, për të mos thënë dhe me ndonjë skemë kompromisi për ta nxjerrë pa lagur në fund.
Ilir Meta është në të drejtën e vet, fjala vjen, të protestojë për arrestimin paraprak para një viti, ndërkohë që tani ende kërkojnë shtyrje afati për hetimet dhe akuza që qarkullon është një gjë krejt e ndryshme nga ato që u thanë kur e prangosën. Përtej distancës që unë kam me të, ai ka qenë president dhe kryeministër i Shqipërisë dhe burgosja paraprake e një personaliteti të tillë mund të bëhet kur jemi para krimit flagrant të tradhtisë kombëtare apo një vepre me impakt publik të menjëhershëm, dhe jo të mbahet paraprakisht një vit në burg sepse ka përdorur ish-gruaja e tij një kartë krediti në mënyrë abuzive.
Mjerisht kanë pasur plot gjëra ku mund të hetonin dhe kapnin Ilir Metën, por mes të tjerash janë dhe të paaftë.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Arben Ahmetajn, tashmë një aleat politik i Sali Berishës. Kërkesa për ta arrestuar atë dy vite më parë dhe kërkesa e kësaj jave për shtyrje hetimesh, tregon se ai do ishte në burg për dy vite dhe këta do vazhdonin të hetonin për vilën e ish-gruas, që e ka blerë një qytetare zvicerane. Kjo i jep gjithë të drejtën Arben Ahmetajt që është arratisur, por jo që duke u bërë aleat me Sali Berishën mund të shpëtojë.
Bashkimi i tij në korin që SPAK varet nga Edi Rama vetëm sa lehtëson SPAK-un të vazhdojë masakra të tilla dhe të bëjë sikur është dakord me akuzën që i bëjnë, pasi me atë rast heq dhe ngarkesën e përgjegjësisë nga supet.
Ajo që SPAK do është pikërisht ajo që bëjnë Berisha, Ilir Meta, Ahmetaj etj., të cilët në vend të bëjnë betejë për të drejtat e tyre haptazi të nëpërkëmbura nga SPAK, bëjnë betejë ta politizojnë veprimtarinë e SPAK dhe ta konsiderojnë regji të Edi Ramës, duke lehtësuar SPAK-un nga përgjegjësitë e veta dhe duke i dhënë Ramës një pushtet që nuk e ka.
Dhe këtu janë të gjithë në kurthin e Berishës, pasi ai është i vetmi që shan SPAK-un dhe SPAK bën çfarë thotë ai. Të tjerët po vuajnë burgun ende pa u formuluar akuza, a thua se janë kapur duke vrarë ndonjë njeri. Merr me mend pastaj si është situata me njerëz që ne nuk i njohim – nëpunës të vegjël apo policë e doganierë që shpallen në krim me lista 40 emrash, fati i të cilëve është larg syve të publikut.
Kështu, pas 7 vitesh, nga SPAK nuk kemi më një standard se pse duhet të dënohet një politikan, nuk kemi një standard apo dosje shembullore të hetimit dhe gjykimit të tij, por kemi bashkiakë të futur në burg për banalitete që janë dënuar me nga një apo dy vite burg kot, me kritere që mund të futësh në burg çdo bashkiak në vend pa akuzë, apo raste të ndjeshme si këto ndaj ish-zyrtarëve të lartë, që janë paraburgosur në më shumë se një vit dhe akoma nuk ka akuzë, edhe pse ata ishin njerëz të parëndësishëm për të ndikuar mbi hetimet.
Dhe këtë masakër SPAK po ja lehtësojnë pikërisht ata që, për t’i shërbyer Berishës, janë gati të djegin dhe veten duke thënë se “ne jemi paraburgosur prej Edi Ramës”. Mos prisni ta përgënjeshtrojë këtë as SPAK, as Edi Rama, pasi SPAK është shumë i kënaqur që e shfajësoni dhe Edi Rama shumë i kënaqur që e “fajësoni” për një gjë që s’e bën dot.
Por kjo është rruga më e mirë që SPAK të vazhdojë të shkatërrojë standardet e hetimit në Shqipëri dhe të sillet si organ represiv, ndërsa Reforma në Drejtësi të rrënohet politikisht në përvjetorin e saj të 9 në fund të korrikut./Tema