Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ditën e sotme ka dalë në terren së bashku me policinë bashkiake dhe policinë duke nisur kontrollet të bizneseve që kanë zënë hapësirat publike. Ky aksion vjen pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama i cili u shpreh se nuk ka më “tokë të xanun”.

Në këtë aksion të pranishëm janë edhe IKMT dhe IMT. Sipas inofrmacioneve të publikuara nga ministri aksioni ka nisur në zonat te Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar, si dhe pranë një kompleksi afër zonës së njohur si ’21 Dhjetori’.

Hoxha teksa takohej me biznesmenët u shpreh se ky aksion ka si qëllim rikthimin e hapësirave publike tek qytetarët. Sipas tij ky është një aksion i shumë pritur nga qytetarët dhe se kjo do të vijojë në të gjitha qytetet e vendit.

“Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IKMT-në e IMT-në po zhvillojnë një aksion të përbashkët në zona kyçe si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar, si dhe pranë një kompleksi afër zonës së njohur si ’21 Dhjetori’. Ky është vetëm një prej hapave të një fushate më të gjerë në të gjithë vendin për të rikthyer trotuaret, sheshet dhe hapësirat publike tek qytetarët.

Askush nuk është mbi ligjin. Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira publike në kurriz të komunitetit. E mirëpritur iniciativa e shumë subjketeve që kanë nisur çmontimin e strukturave pa leje. Një apel për çdo subjekti, që të lirojë vullnetarisht hapësirat publike dhe kontribuojë për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm për të gjithë,” shkuan Hoxha në Facebook ndërsa ka ndarë edhe pamje nga takimet e tij në tërren në lidhje me aksionin.