Qeveria ka miratuar zyrtarisht indeksimin me 9.3% të bazës së vlerësuar të vitit 2023, e cila do të përdoret për llogaritjen e pensioneve të reja, që do të caktohen nga 1 janari 2025 e në vazhdim.

Ky zhvillim vjen pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 404, datë 16.7.2025, i cili synon të mbrojë vlerën reale të kontributeve të qytetarëve në kushte inflacioni dhe ndryshimesh ekonomike. Në pikën 1 të vendimit theksohet: “Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023, me indeksin 9.3%, të llogaritur sipas kritereve, të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Kjo rritje e indeksit ka për qëllim të përmirësojë llogaritjen e pensionit fillestar mujor, duke rritur shumën për të gjithë ata që përfitojnë të drejtën e pensionit nga fillimi i vitit të ardhshëm. Vendimi ndikon mbi “bazën e vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2023”, – siç citohet në pikën 2 të tij.