Një letër e hapur e nënës së Erion Veliajt dhe një raport nga ekipi i tij ligjor janë publikuar së fundmi në EU Reporter, një media me qendër në Bruksel që fokusohet në zhvillimet brenda Bashkimit Evropian dhe raportimin mbi shtetet anëtare dhe ato aspirante për anëtarësim. EU Reporter është një platformë ndërkombëtare që shpesh u jep hapësirë opinioneve dhe reagimeve që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështje të ndjeshme politike.

Letra e publikuar ngre shqetësime serioze për mënyrën si po trajtohet ligjërisht rasti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është mbajtur në paraburgim prej pesë muajsh pa u ngritur ende ndonjë akuzë zyrtare. Ajo shoqërohet me një raport të përgatitur nga avokatët e tij ndërkombëtarë, që synon të vë në dukje shkeljet e mundshme të të drejtave themelore në procesin ndaj tij.

Duke zgjedhur EU Reporter për të publikuar këtë material, familja e Veliajt dhe ekipi i tij ligjor synojnë t’i japin jehonë ndërkombëtare një çështjeje që, sipas tyre, reflekton jo vetëm mbi fatin personal të një politikani, por edhe mbi problematikat sistemike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri – veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit evropian.

Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës (në foto), është mbajtur në paraburgim pa akuza për pesë muajt e fundit, ndërsa po hetohet nga SPAK. Ai u arrestua nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në shkurt, pas akuzave (të cilat ai i mohon) për korrupsion. Deri më tani nuk i është paraqitur asnjë provë dhe nuk është ngritur asnjë akuzë formale ndaj tij. Megjithatë, ai është mbajtur i ndaluar gjatë gjithë kësaj kohe. Avokatëve të tij ndërkombëtarë (Mishcon de Reya dhe Kasowitz) u është mohuar mundësia për ta vizituar.

Paraburgimi i tij i vazhdueshëm është miratuar nga gjykata e SPAK-ut pa një vlerësim të thelluar nëse qëndrimi i tij në paraburgim është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa shqyrtuar seriozisht mundësitë alternative ndaj paraburgimit. Edhe pse Erioni dhe familja e tij mbështesin misionin e SPAK-ut, ndalimi i tij i zgjatur pasqyron një prirje shqetësuese më të gjerë në Shqipëri: 60% e të burgosurve mbahen në paraburgim.

Këtu lidhim një raport të përgatitur nga ekipi i tij ligjor, i cili përshkruan shqetësimet për ndalimin e tij, përtej dhimbjes që përjeton familja dhe fëmijët e tij.

Gjithashtu, publikojmë një letër të hapur nga nëna e tij:

Pse Europa po mbyll sytë ndaj një shkeljeje të hapur të vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE?

Nga Shqiponje Veliaj, nëna e Erion Veliajt, Kryetar i Bashkisë Tiranë

“Rreth katër muaj më parë, familja ime u përfshi papritur në një makth kafkian. Në një ditë që dukej krejt e zakonshme në shkurt, djali im, Erioni, Kryetari i Tiranës i zgjedhur tre herë me radhë, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për rigjallërimin e kryeqytetit, u arrestua nga SPAK  institucioni i pavarur kundër korrupsionit. Arrestimi u bazua në pretendime anonime të bëra në polici nga një person fiktiv pothuajse dy vite më parë. Pretendime që djali im i mohon kategorikisht.

Që prej asaj dite, ai është mbajtur në kushte që afrohen me izolim të plotë, megjithëse nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj tij. I është mohuar edhe qasja te avokatët e tij ndërkombëtarë. Burgosja e tij e zgjatur e pengon të ushtrojë funksionet e tij si Kryetar Bashkie, të cilat i janë besuar nga qytetarët e Tiranës përmes votës.

Është e rëndësishme të shihet konteksti më i gjerë. Shqipëria është në rrugën për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, ndoshta deri në vitin 2030. Si një shqiptare krenare, e shoh këtë si një arritje të madhe për të gjithë ne. Do të sjellë mirëqenie, më shumë turizëm dhe mundësi punësimi, dhe do të sjellë më shumë stabilitet dhe bashkëpunim në çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Një nga kushtet më të rëndësishme për anëtarësim është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Nuk është sekret që Shqipëria ka pasur shumë probleme për të rregulluar në këtë drejtim. E kam parë Shqipërinë të dalë nga komunizmi, nga një periudhë ku njerëzit zhdukeshin nga policia e shtetit dhe jetonin në frikë.

Roli i SPAK ka qenë thelbësor për të luftuar korrupsionin, për të reformuar drejtësinë dhe për të përmirësuar performancën e gjyqësorit. Por tani duket se SPAK po ushtron pushtet të gjerë me shumë pak kontroll. Familja ime mbështet plotësisht nevojën për të hetuar çdo dyshim për keqmenaxhim apo korrupsion. Korrupsioni në Shqipëri duhet luftuar drejtpërdrejt, dhe institucionet që e luftojnë duhet të jenë të fuqizuara. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin as djali im, as ndonjë zyrtar tjetër.

Por njëkohësisht, askush pavarësisht funksionit nuk duhet të mbahet në burg pa akuza, pa proces të rregullt ligjor, pa transparencë dhe pa akses te avokatët.

Pse atëherë institucionet dhe vendet anëtare të BE-së po mbyllin sytë, ndërkohë që një nga figurat më të dukshme dhe të zgjedhura në mënyrë demokratike në Shqipëri po mbahet në burg pa akuza? A nuk është kjo një shkelje e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)?

Familja ime po vuan shumë nga kjo situatë. Por nuk jemi të vetmit. Kjo mënyrë arresto tani dhe mblidh prova më vonë ndodhi edhe me Thoma Gëllçin, dhe në rastin e tij Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që paraburgimi i tij ishte i paligjshëm. Mijëra shqiptarë mbahen në paraburgim, dhe përqindja e të paraburgosurve në burgje është shumë më e lartë se mesatarja europiane. Ndonjëherë njerëzit mbahen me vite. Kjo karakteristikë e sistemit gjyqësor shqiptar shkatërron jetë dhe karriera. Organet kundër korrupsionit duhet të veprojnë me standardet më të larta hetimore, duke shmangur arrestime teatrale që më pas mund të konsiderohen të paligjshme nga gjykatat më të larta, nëse nuk ndiqet procesi i rregullt ligjor.

Kjo nuk është ajo që duhet të përfaqësojë reforma në drejtësi. SPAK ka bërë përparim të vërtetë, por ai përparim duhet të matet jo vetëm me arrestime, por me gjykime të drejta, gjykata të pavarura dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Avokati dhe aktivisti i njohur për të drejtat civile, Dorian Matlija, e ka përshkruar shkurt: “Në Shqipëri të fusin në burg më parë, pastaj mbledhin provat.” Sistemi i burgos njerëzit, pastaj përpiqet të justifikojë vendimin. Nëse provat nuk mjaftojnë, gjykatat shpesh dënojnë gjithsesi, për të arsyetuar muajt e paraburgimit.

Liderët europianë nuk duhet të qëndrojnë të heshtur vetëm sepse në letër, narrativa i përparimit të Shqipërisë duket i mirë. Institucionet mund të krijohen, ligjet mund të shkruhen, por ato duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë. Në këtë rast, procesi ligjor po injorohet. Të drejtat po shkelën. Dhe besueshmëria e sistemit gjyqësor shqiptar është në rrezik.

Kjo nuk ka të bëjë me mbrojtjen e djalit tim nga llogaridhënia. Ai është vetëm një nga shumë individë të prekur nga ky problem sistemik në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve themelore që përbëjnë bazën e demokracisë: prezumimi i pafajësisë, e drejta për liri, detyrimi për të akuzuar ose liruar, dhe trajtimi njerëzor i të gjithë të ndaluarve, pa dallim politik.

Si një qytetare shqiptare dua që vendi im t’i trajtojë njerëzit me drejtësi. Si nëna e Erionit dua të di që djali im do të trajtohet me dinjitet.”/EuReporter