Bashkimi Europian njoftoi se sistemi i ri i kontrollit kufitar për shtetasit që nuk janë nga blloku europian, i cili do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta, do të nisë zbatimin në tetor.

I ashtuquajturi Sistem i Hyrje/Daljes (EES) fillimisht ishte parashikuar të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin, shkruan REL.

Komisioni Europian ka vendosur 12 tetorin e vitit 2025 si datë për nisjen e operacioneve për zbatimin e EES-së. Nga 12 tetori e tutje, EES-ja do të nisë gradualisht të zbatohet në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, tha BE-ja.

Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe zbatimi i tij u shty disa herë. Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara.

Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipet e tyre ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.

Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Europë me trena, tragete dhe aeroplanë.

Në mars, disa shtete anëtare u pajtuan që zbatimi të bëhet përmes fazave, që do të nisë më 12 tetor.

“Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete”, tha Magnus Brunner, komisionar për Migrim.

Komisioni Europian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit.