Mungesa e një deklarate nga SHBA për zgjedhjet e fundit në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje të shumta në opinionin publik. Por tashmë ka një shpjegim zyrtar për këtë heshtje diplomatike. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar përmes një kabllogrami zyrtar që diplomatët amerikanë të shmangin çdo koment mbi ndershmërinë, drejtësinë apo legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet e huaja përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Ky vendim përbën një ndryshim të madh në politikën e jashtme amerikane, e cila tradicionalisht ka mbështetur promovimin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në mbarë botën. Kabllogrami i shpërndarë më 17 korrik thekson se SHBA do të flasë për zgjedhjet vetëm kur ka një “interes të qartë dhe bindës” të politikës së jashtme. Në raste të tilla, mesazhi do të kufizohet në një përgëzim të thjeshtë për fituesin dhe theksimin e bashkëpunimit në fusha strategjike.

Kjo qasje e re pasqyron filozofinë e administratës Trump, e cila ka zgjedhur të mos ndërhyjë në çështje të brendshme të vendeve të tjera, përfshirë edhe proceset zgjedhore apo të drejtat e njeriut, nëse ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt interesat amerikane. Në fjalimin e tij në Riad, Presidenti Trump dënoi hapur ndërhyrjen perëndimore në Lindjen e Mesme dhe shpalli një doktrinë të re: prioriteti i interesave strategjike mbi përfshirjen në çështje të brendshme.

Ky ndryshim i qëndrimit amerikan, ndonëse i prezantuar si një politikë e “mosndërhyrjes”, ka ngjallur shqetësim mes analistëve dhe mbështetësve të demokracisë, të cilët paralajmërojnë se SHBA po braktis rolin e saj si garant i vlerave demokratike në botë – dhe se kjo mund të nxisë forca autoritare në shumë vende, përfshirë Ballkanin.

Në këtë kontekst, heshtja e Uashingtonit ndaj zgjedhjeve në Shqipëri nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të re, ajo e distancimit nga gjykimi i proceseve zgjedhore jashtë vendit, përveç rasteve kur në lojë janë interesat thelbësore të SHBA-së.