Askush nuk e kishte menduar që marrëdhënia mes Marc-Andre Ter Stegen dhe Barcelonës do të arrinte deri në këtë pikë, ku ka shkuar sot. Pavarësisht se gjermani ka qenë titullar prej vitesh dhe ka dhënë një kontribut të madh në sukseset e Barcelonës, madje mban dhe shirtin e kapitenit, aktualisht marrëdhënia e tij me klubin është shumë e acaruar.

Drejtuesit e Barcelonës i kanë bërë të ditur që nuk është në planet e tyre për sezonin e ri dhe ndaj duhet të largohet, Ter Stegen nuk pranon. Madje, “AS” raporton se së fundmi portieri gjerman ka vendosur të qëndrojë i vetëm në palestër dhe nuk është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit në seancën e fundit stërvitore.

Për portierin gjerman ka pasur interes nga disa ekipe, oferta më e fundit ka ardhur nga Monaco, por Ter Stegen e ka refuzuar. 33-vjeçari është i bindur në vendimin e tij për të qëndruar te katalanasit deri në përfundim të kontratës, edhe pse i është bërë e ditur nga drejtuesit dhe trajneri Hansi Flick, që portier titullar do jetë Joan Garcia dhe portier i dytë Wojciech Szczesny. Polaku rinovoi pak ditë më parë me katalanasit dhe për dy vite të tjera.