Porto Palermo Festival rikthehet edhe këtë vit për të pestin edicion radhazi, nën organizimin dhe idenë e artistit të mirënjohur Olen Cesari, në kalanë e Porto Palermos, në Himarë.

Ky event artistik do të zhvillohet nga data 31 korrik deri më 17 gusht, me 12 netë të kuruara me kujdes çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel.

Për secilën nga mbrëmjet artistike, Cesari i ka besuar dhe përzgjedhur disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare si Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Deshira Ahmeti, Anamaria Beqaj, Dren Abazi, Aurela Gaçe, Marsela Cibukaj, Eda Zari, Ardian Trebicka, Kastriot Tusha, Pasha Deejay, si dhe artistë të huaj si Carlos Paz & Sin Fronteras, Alberto Laurenti, Laraine Cañizares dhe të tjerë, transmeton ora.

Në kuadër të këtij festivali, mbahet edhe një aktivitet hapës në Porto Palermo, më 26 Korrik , ora 11:00, me qëllim ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi për ruajtjen e mjedisit, në bashkëpunim me organizata të dedikuara dhe vullnetarë që mbështesin dhe bashkohen me nisma të tilla.

Le të bashkojmë forcat së bashku për të dhënë kontributin personal në këtë event që zhvillohet tashmë për të tretin vit radhazi, si një promovim i turizmit të qëndrueshëm kulturor në Shqipëri dhe krijimin e një ndërgjegjësimi të qëndrueshëm tek turistët dhe vizitorët e zonës së Porto Palermos.