Ndërsa Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi pak ditë më parë se institucioni që ai drejton nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për hartimin e kodit të ri penal, dokumentet zyrtare hedhin poshtë këtë pretendim.
Një shkresë zyrtare e datës 2 shkurt 2023, e firmosur nga drejtori i Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, Kostaq Beluri, tregon se organi qendror i akuzës ka caktuar një përfaqësues në grupin e punës për hartimin e Kodit Penal që prej vitit të kaluar.
Në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, me numër protokolli 635, datë 30 janar 2023, Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se ka emëruar z. Kujtim Luli, Shef i Sektorit të Koordinimit, Studimeve dhe Integrimit, si përfaqësues të saj në grupin e punës për përgatitjen e Kodit të ri Penal.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe saktësinë e deklaratave publike të kreut të akuzës dhe rihap debatin mbi procesin e hartimit të një prej akteve më të rëndësishme ligjore në vend.