Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, e ka informuar presidentin Donald Trump gjatë pranverës se emri i tij shfaqej në dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein.
Ky informacion, sipas mediave ndërkombëtare, bazohet në burime nga tre persona me dijeni për përmbajtjen e informimit.
Zbulimi është bërë në kuadër të një raportimi më të gjerë lidhur me rishqyrtimin e çështjes kundër Epstein, i cili vdiq në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual. Rishikimi është bërë nga agjentët dhe prokurorët e FBI-së.
Informimi është dhënë gjatë një takimi ku morën pjesë edhe zëvendësprokurori i përgjithshëm Todd Blanche. Takimi trajtoi një sërë temash, ndërsa Bondi – që raportohet se takohet shpesh me Trump për ta informuar mbi çështje të ndryshme – u fokusua në përmbajtjen e dosjeve.
Sipas burimeve, Bondi dhe Blanche, të dy avokatë të presidentit, e njoftuan Trumpin se emri i tij, ashtu si edhe ai i disa figurave të tjera me profil të lartë, është përmendur në dokumente të cilat deri tani nuk ishin bërë publike.
Nuk dihet saktësisht sa të rëndësishme janë këto referenca për Trumpin, por informimi i zbuluar hedh dritë mbi diskutimet e brendshme në Shtëpinë e Bardhë, në një kohë kur stafi i presidentit po përpiqet të qetësojë pakënaqësinë e disa mbështetësve, të cilët besojnë se Trump dhe disa prej të emëruarve të tij kanë dështuar në premtimin për të bërë publike të gjitha dosjet.
Dy nga emërimet kyçe të FBI-së të bëra nga vetë Trump kanë qenë ndër ata që, përpara marrjes së detyrës, besonin se ekzistonte më shumë për t’u zbuluar në lidhje me Epstein. Në fillim të këtij viti, Bondi i përshkroi dokumentet si material me rëndësi për t’u shqyrtuar.
Trump dikur ka qenë mik me Epstein, por marrëdhënia mes tyre u ndërpre pas një konflikti që presidenti e ka përshkruar si një “grindje” në fillim të viteve 2000.
Në një takim në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt, Bondi shpërndau disa dosje që përmbanin informacione të ndryshme, përfshirë edhe numrat e telefonit të disa anëtarëve të familjes së presidentit, përfshirë vajzën e tij.
Në një deklaratë të përbashkët, Bondi dhe Blanche thanë:
“Si pjesë e informimit rutinë, ne e njoftuam presidentin për gjetjet. Asgjë në dosje nuk justifikonte hetime ose ndjekje të mëtejshme penale.”