Nga Flogert Muça/

Kur “pronarët” marrin mandatin, dhe të ndershmit marrin respektin.

Ajo që pritej, ndodhi. Sot, mandatin në Kuvend e mori motra e Adriatik Lapajt, ose e thënë saktë, Shabani ja la mandatin Lapajt, siç ishte zotuar.

Bashkëshortja e Endri Shabanit, Livia, që ishte e dyta në listë, refuzoi mandatin që ta marrë e katërta në listë, motra e Lapajt. Sigurisht që ky është një akt politik i Shabanit. Ai e dorëzoi mandatin me qetësinë e dikujt që nuk ka ardhur për karrige, por për të dhënë një mësim.

Dhe e dha mësimin, e më pas  ja la mandatin Lapajt dhe klasës politike që vetëm bindet ndaj mashtrimit politik. Kështu, Shabani nuk fitoi një mandat, por një kapitull të ri në moralin politik shqiptar. Tregoi se kur flet për parimin, s’e ka fjalën për karrierën. Dhe kur flet për fjalën e dhënë, e ka seriozisht e jo për status në Facebook, por për statusin normal si njeri.

“Kur dikush të tregon kush është, besoje që herën e parë” ,  thoshte Maya Angelou. Shabani e besoi dhhe të gjithë ne e pamë. Në një vend ku deputetët bëjnë çdo manovër për të hyrë në listë, e më pas për të mos dalë kurrë prej andej, të shohësh dikë që lë mandatin për t’i treguar parimin tjetrit, është më shumë se një akt politik: është një akt civilizimi.

Dhe ironia e madhe është se në fund Lapaj e mori gjithsesi atë që donte: Një vend në Kuvend. E mori, po nga Shabani. Nga njeriu që për pak kohë ndau me të kauzën, idealin dhe mikrofonin. Mori leksionin që fjala duhet mbajtur, dhe mandatin që Shabani se pretendoi kurrë!

E mori siç merren gjërat në këtë vend: me ndihmën e dikujt që të do të mirën, por nuk të do ta keqpërdorësh.

Po pse e bëri Shabani këtë akt?

Ka shumë përgjigje. Por le të përdorim ironinë e Churchill-it: “Ndonjëherë, mënyra më e mirë për t’i dhënë dikujt një leksion, është ta lësh të fitojë.”

Sot Lapaj ka mandatin. Shabani ka dinjitetin. Dhe historia, ajo e vërteta, do ta mbajë mend se kush ia dha kujt, dhe kush e kishte nevojën më shumë.

Pushime të mbara të dyve!