Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi ku shprehet se është finalizim i një pune dyvjeçare.
“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njofton Kumbaro.
Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.
Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.