Kryeministri Edi Rama u shfaq sot me tone të qarta dhe mesazhe të drejtpërdrejta në takimin e zhvilluar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend, ku temë kryesore ishte performanca e qeverisjes vendore, sidomos në sfidat që lidhen me integrimin evropian dhe shërbimet bazë për qytetarët.

Operator i ri kombëtar për ujësjellësin dhe mbetjet

Në një hap të ri drejt reformimit të thellë të shërbimeve vendore, Rama paralajmëroi ngritjen e një operatori kombëtar për ujin dhe mbetjet.

“Bashkitë nuk mund të funksionojnë më si ishuj me standarde të ndryshme. Kemi nevojë për një sistem unik dhe efikas. Kush nuk bashkëpunon, mbetet prapa,” deklaroi Rama.

Bujqësia dhe përpunimi, jo më zyra për qoka!

Kryeministri shigjetoi direkt strukturat vendore të bujqësisë, duke i cilësuar si “departamente qokash”, ndërsa bëri thirrje për një qasje të re ndaj agroturizmit dhe industrisë së përpunimit.

“Është koha që vajrat e ullirit, salcat e domateve dhe produktet e tjera të përpunohen këtu, jo të ikin të papërpunuara. Bashkitë duhet të lëvizin tani!”

Legalizimet dhe fondet sociale, në lupën e qeverisë

Rama kritikoi vonesat në legalizime dhe nënvizoi rolin e bashkive në këtë proces. Po ashtu, u shpreh i pakënaqur me përdorimin minimal të fondeve sociale nga disa bashki:

“Ka bashki që kanë përdorur vetëm 3% të fondeve të ndihmës sociale. Kjo nuk është mungesë lekësh, është mungesë vullneti!”

Vjeshta, moment historik për integrimin në BE

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij ishte e fokusuar tek procesi i integrimit evropian. Rama u shpreh optimist për hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në vjeshtë, duke e cilësuar si “një rekord historik”.

“Dera e BE-së është e hapur. Tani duhet të provojmë se jemi të veshur mirë, të stërvitur mirë dhe të edukuar mirë për të hyrë në atë derë dhe për t’u ulur në atë tryezë.”

“Kemi hyrë në fazën ku çdo bashki ka rol konkret në këtë rrugë. Shumë nga kriteret dhe standardet që kërkon BE lidhen direkt me qeverisjen vendore,” shtoi ai.

Dhuka: Bashkitë, faktor kyç në integrim

Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka, nënvizoi se bashkitë janë në zemër të procesit të integrimit, duke shtuar se reformat që Shqipëria ka ndërmarrë kërkojnë zbatim të kujdesshëm pikërisht në nivel lokal.

Mes reformave për shërbimet bazë dhe integrimit europian, Rama u dërgoi një mesazh të qartë bashkive: më shumë punë, më pak justifikime. Shqipëria po ecën drejt BE-së, por suksesi i këtij rrugëtimi kalon përmes qytetit tënd.