Kryeministri Edi Rama mblodhi në Durrës kryetarët e bashkive të vendit, të cilëve iu vendosi ultimatum që deri ditën e hënë të kenë shkarkuar të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe nënkryetarët e bashkive.
Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, dhe ai i Himarës, Vangjel Tavo, paralajmërojnë se nuk do të zbatojnë urdhrin e Ramës.
Qosja thekson se nuk do të shkarkojë nënkryetarët se këtë e kërkon kryeministri.
“Nuk dëgjoj urdhrat politikë”, tha kryebashkiaku i Kavajës.
Kryebashkiaku Tavo u duk më i moderuar në kundërshtimin e tij, duke thënë se nënkryetarët e bashkisë që ai drejton janë të rinj në ato pozicione, ndaj do t’i testojë nëse duhet të qëndrojnë në detyrë apo jo.