Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm këtë të martë në një aktivitët të zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku tha se do të bëhet gati një reformë e thellë akademike.

Rama theksoi se kjo reformë do të bazohet në modelin e Universitetit BOKU të Vjenës. Në fjalën e tij Kryeministri vlerësoi transformimin e UBT-së.

“Asnjë universitet në Shqipëri, e them me përgjegjësi, s’e ka bërë këtë që po bën UBT. Dhe në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh sot për sot këtë perspektivë që ka hapur kjo reformë reale evropiane, rrënjësore në UBT.- tha Rama.

Ai foli edhe për historikun e institucionit, duke e ndarë në dy faza të rëndësishme.

“UBT, për hir të së vërtetës, ka kaluar dy faza në historinë e vet. Një fazë të historisë së tij, kur ishte qendër ekselence reale në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe ishte koha përpara përmbysjes së regjimit. Kur UBT ishte njëkohësisht edhe burimi më i rëndësishëm i dijes për ato nevoja të bujqësisë dhe fshatit që kishte atëherë vendi. Ama pedagogët e UBT ishin akademikë e dijetarë të jashtëzakonshëm”.-tha Rama.

Më tej, kryeministri u ndal edhe te periudha që pasoi, të cilën e përshkroi si një kohë rënieje për universitetin.

“Më pas UBT pati një fazë tjetër, ajo e rrënimit, e braktisjes dhe e degjenerimit publik të tij, ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara, asgjë tjetër nuk mbeti aty”-vijoi ai.

Duke iu referuar ndërhyrjeve institucionale të fundit në territorin e universitetit, Rama ironizoi me një episod të përmendur nga rektori i UBT-së.

“Rektori përsëriti disa herë një telefonatë, a thua se ishte ndonjë zë profetik nga mali, por në fakt ishte pasi së bashku me rektorin, bëmë një ndërhyrje të rëndë dhe të turpshme për nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin për historitë e tyre që nga qoftet e deri te shitja e të brendshmeve. Dhe ishte vërtetë dramatike – të hyje në atë universitet për të shkuar në klasë duhej të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare”-tha Rama