A ka drejtësi në Shqipëri kur je pjesë e një familjeje të pushtetshme politike?
A funksionon SPAK-u njësoj për të gjithë, apo selektivisht?
A mund të flasim më për drejtësi të reformuar, kur një i akuzuar për një nga aferat më të mëdha të pronës publike lirohet me një “çmim simbolik”?
Këto janë pyetjet që shtrohen pas vendimit tronditës të Gjykatës së Posaçme, e cila ka liruar nga masa e “arrestit në shtëpi” Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, një ndër figurat më të diskutueshme të politikës shqiptare dhe të shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Malltezi u vu nën hetim dhe arrest shtëpie për përfshirje direkte në një aferë korruptive që përfshin privatizimin e ish-kompleksit Partizani një pronë publike me vlerë të jashtëzakonshme në zemër të kryeqytetit. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa vjehrri i tij, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv në cilësinë e ish-kryeministrit.
Tani, Malltezi është i lirë. Jo sepse është shpallur i pafajshëm. Jo sepse provat janë rrëzuar. Por sepse ka vendosur një garanci pasurore prej vetëm 3 milionë lekësh një shumë qesharake krahasuar me akuzat që rëndojnë mbi të.
Kjo nuk është thjesht një çështje e një vendimi gjyqësor. Kjo është një shuplakë për çdo qytetar shqiptar që ka besuar se reforma në drejtësi do të sillte ndëshkim për të fuqishmit dhe fund të pandëshkueshmërisë.
Po SPAK-u, që ka marrë mbi supe besimin e mijëra shqiptarëve, si e lejon këtë lëshim të hapur ndaj një të akuzuari për korrupsion në nivelet më të larta të shtetit?
Po politika, a do të reagojë, apo do të vazhdojë të mbrohet me heshtje?
A është drejtësia kaq e lirë në Shqipëri, sa të blihet me një shumë që nuk mjafton për një apartament në periferi?
A do të lirohej i njëjti qytetar nëse mbi të do të rëndonte një akuzë për ndërtim pa leje apo për evazion të thjeshtë?
Rasti Malltezi është më shumë sesa një vendim gjykate. Është një test për drejtësinë e re, një provë për institucionet e reja dhe një tregues i qartë i dy standardeve që po shkatërrojnë besimin qytetar në shtet.
Drejtësia nuk është e verbër ajo thjesht mbyll sytë kur përballë ka pushtet, para dhe mbiemra të mëdhenj./Lexo.al