Kryeministri Edi Rama tha se problemi me plagjiaturat nuk është adresuar. Kryeministri Edi Rama tha se nuk mund ta fshehim dot se jemi ‘atdheu i plagjiaturës’, teksa shtoi se duhet bërë më shumë për ta eliminuar si problem. Ai tha se kanë shkurtuar ndjeshëm edhe doktoraturat kot, teksa shtoi me ironi se doktoranët janë në proces, por shpreson që të mos bëhen berberë.
“Tjetra që besoj se është shumë e qartë është se ndërkombëtarizimi ka filluar, po jep rezultate por jemi larg. Nëse nuk e pranojmë, nuk ecim dot më shpejt përpara. Ambicia jonë duhet të jetë më e madhe dhe pajtimi ynë me të shkuarën është një çështje për ta vënë në tryezë ku nuk merremi më me këtë punë. Duhet të bëjmë diçka ndryshe, të rishpikim çdo ditë. Plagjiatura, që ky është atdheu i plagjiaturës e dimë mirë. Ta fshehim tani, u bë zhurmë e madhe në një moment të caktuar. I vetmi element që mbeti pa adresuar është plagjiatura, është fakt. Jo po se duhet ta adresojë vetë subjekti. Jo se duhet të ketë reflektim nga autori. Jo se nuk e bën dot akademia e shkencave se e drejton një komunist. Plagjiatura në Shqipëri nuk është e adresuar si duhet. Ne i bëmë një mbyllje jo të shkurtër doktoraturave se më mirë djepi bosh se shejtani brenda, çfarë doktoratuash? Kot! Tani ka rifilluar me gjasën se disa gjëra janë më në vijë, por edhe sot që flasim i kemi në proces ata doktorët e rinj që do të vijnë që shpresoj të jenë doktorë, jo berberë. Të gjitha këto duhet të na motivojnë t’i shkojmë gjërave më thellë dhe më përpara. Pavarësisht se çfarë diskutohet, sherri me shifrat nuk është asnjëherë i arsyeshëm.