Autoritetet shqiptare kanë intensifikuar kontrollet në kuadër të aksionit kombëtar për sigurinë ushqimore, ku në vetëm 6 ditë janë sekuestruar 32 ton produkte të ndryshme ushqimore pa faturë.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të shtunë, ku theksoi se operacioni do të vijojë me të njëjtin intensitet dhe pa asnjë tolerancë ndaj abuzimeve me sigurinë e ushqimit.

“6 ditë, 32 ton sekuestrime: qumësht, djathë, mish pa faturë. Zero tolerancë”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se objektivi i këtij aksioni është garantimi i standardeve të sigurisë ushqimore për konsumatorët shqiptarë.

Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë paralajmëroi se institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë me sekuestrimet pa ndërprerje, deri në pastrimin e tregut nga çdo produkt i paregjistruar dhe potencialisht i rrezikshëm për shëndetin.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, shkruan më tej Rama.

Ky aksion vjen në një kohë kur janë shtuar denoncimet për shkelje në sektorin e përpunimit dhe tregtimit të ushqimeve, veçanërisht në tregjet informale dhe zonat rurale. Autoritetet kanë theksuar se kontrollet do të jenë të përditshme dhe të shtrira në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e standardeve të sigurisë për konsumatorin final.