Një zjarr i fuqishëm në orët e para të mëngjesit ka shkrumbuar plotësisht restorantin “Villa Gjeçaj” në Theth, në pronësi të familjes së Petrit Gjeçajt – agjent i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për të lënduar në njerëz, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Sipas njoftimit të policisë, “Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.”

Aida Gjeçaj, bashkëshortja e Petritit dhe pronare ligjore e restorantit, ka reaguar për mediat duke thënë se dëmi shkon në rreth 150 mijë euro. Ajo thekson se nuk kanë asnjë konflikt, borxh apo problem ligjor me ndonjë institucion.

“Mbrëmë isha në Tiranë për punë administrative. Kur më kanë njoftuar në dy të natës se kishte rënë zjarr në subjektin tim. Erdhëm, komshinjtë kanë fikur zjarrin, nuk kanë arritur të shpëtojnë gjë. Ishte restorant me panele diellore. Dhe ishte e pamundur që të fikej, zjarrfikësja nuk ka arritur të vijë në kohë… Falenderoj komshinjtë që kanë dhënë ndihmën e parë dhe për të evituar që zjarri të përcillej në godina të tjera. Nuk ka pasur dëme në njerëz, falë Zotit. Restoranti është në pronësinë time si Aida Gjeçaj.”

Ajo shpjegoi se godina ishte ekologjike dhe kishte përfunduar së ndërtuari vetëm një vit më parë, ndërsa përjashtoi problemet me energjinë elektrike si shkak të zjarrit:

“E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur.”

E pyetur mbi ndonjë lidhje të mundshme të zjarrit me aksionin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në zonë, ku janë prishur disa ndërtime pa leje, Aida Gjeçaj tha:

“Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin. Nuk kam procedim për prishje siç mund të kenë një pjesë e banorëve… Koincidenca është e keqe.”

Aida Gjeçaj shtoi se familja e saj i ka besuar institucionit të drejtësisë për zbardhjen e plotë të çështjes:

“Përderisa nuk është energjitike, ia lë në dorë drejtësisë dhe atyre që janë ekspertë në këtë punë. Ua lëmë atyre në dorë. Duke qenë se familjarisht jemi të lidhur me drejtësinë, ia kemi besuar. Besojmë te ligji dhe shteti, dhe presim që veprimet të bëhen. E vërteta herët a vonë do të dalë.”

Ngjarja vjen në një kohë kur në zonën e Thethit është duke u zhvilluar një aksion i gjerë për prishjen e ndërtimeve pa leje, çka ka sjellë edhe tensione dhe protesta në komunitet. Dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme mbeten një pistë e hapur nga hetuesit.

Çifti Gjeçaj nuk është i panjohur për publikun. Petrit Gjeçaj është oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa Aida Gjeçaj ka qenë më parë e ftuar në një episod të podcastit të kryeministrit Edi Rama, ku ka folur për turizmin dhe zhvillimin në Theth.