A ishte kjo nisma që do na shpëtonte nga tranzicioni i pafundshëm politik, apo vetëm një serial tjetër me aktorë të rinj e skenar të vjetër?
Në vend të reformës, morëm një telenovelë. Në vend të ringritjes së shpresës, morëm Zeqirin. Dhe jo, nuk është metaforë.
Zeqiri, hallka që po i mbyt të rinjtë
Nëse mendonit se politika e vjetër kishte marrë fund më 11 maj, gaboheni rëndë. Sepse, siç duket, Shqipëria nuk bëhet pa… dajën! Po, po. Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, është kthyer në mollën e sherrit mes dyshes që premtonte “ndryshimin e madh”: Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.
Që këtu nis absurdi: lufta për një mandat në Kuvend është kthyer në betejë për trashëgimi politike mes dajës dhe nipit. Dhe, sigurisht, me një Lapaj që tashmë shkruan deklarata me ton të ashpër e të lodhur, si një veteran lufte që sapo ka kuptuar se ka luftuar për hiçgjë.
Lapaj: As daja, as nipi, as unë! Po pastaj?
“I gjithë bataku është angazhuar të më pengojë”, deklaroi me furi Adriatik Lapaj, duke sulmuar publikisht ish-aleatin e tij. Dhe këtë herë nuk kurseu as dajën. “Zeqiri dhe nipi i tij nuk do marrin mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament”, shprehet ai me një ndjenjë sakrifice që ndoshta i shkon më shumë ndonjë personazhi biblik sesa një politikani që sapo nisi rrugëtimin.
Por më shumë sesa një akt vetëflijimi, kjo tingëllon si një taktikë për t’i prerë rrugën kujtdo tjetër që nuk është… i yti. Po pra, sepse në listën e mbyllur, përveç Zeqirit, ndodhen dhe disa familjarë të Lapajt. Rastësi? Pyetja e shekullit.
Shabani: “Mora pushkën dola malit”, por armiku qenka vetja
Në anën tjetër të “luftës”, Endri Shabani e nisi me një poezi. Me pak më shumë stil sesa Lapaj, por me po aq dramë. Nëse Lapaj shfaqet si heroi i rrethuar nga të gjithë, Shabani luan rolin e djaloshit të zhgënjyer që kupton se shpëtimi i madh nuk vjen dot pa Zeqirin.
Në fakt, Shabani e quan Lapajn “Tiku” dhe i thotë qartë se ai duhet të jetë falënderues. Sepse pa votat e Thurjes, s’do kishte mandat fare. Dhe nëse burri mbahet nga fjala, sipas Shabanit, atëherë Lapaj duhet të respektojë premtimin dhe t’ia lërë mandatin dikujt tjetër.
Po ç’të bësh kur “fjala” politike në Shqipëri zgjat më pak se një njoftim në Instagram?
Daja që futi sherrin në Kuvend pa hyrë ende në të
Por përse kaq shumë dramë për një emër që në kushte normale nuk do ngjallte interes as në një mbledhje lagjeje? Sepse Zeqir Kordhoni është kthyer në simbolin më të pastër të “klientelizmit të ri” në politikën e re. Dhe ironikisht, është emri që sot mban peng shpresën për ndershmëri që predikonin Lapaj dhe Shabani.
Në vend të rinovimit, po na serviren pazaret e zakonshme. Në vend të listave të hapura, familjarë që marrin numra. Në vend të një modeli të ri, një rrahje publike për mandate, me sharje, akuza, e ndonjë varg poetik sa për të zbukuruar sherrin.
Nëse këta janë të rinjtë, ç’na duhet më vjetërsia?
A nuk ishte ky brezi që do thyente modelin e Ramës dhe Bashës? A nuk ishin këta që do sillnin meritokracinë dhe transparencën? Dhe në fund të ditës, çfarë na dhanë? Një sherr dajash, një betejë për karrige dhe një “mua më preu në besë”.
Në fakt, e vetmja gjë e re që sjellin këta është mënyra sesi paketojnë konfliktin e vjetër: me postime të gjata në Facebook dhe poezi lufte. Por përmbajtja? E njëjta. Madje më keq: sepse kur të rinjtë sillen si të vjetër, shpresa nuk është vetëm e rreme – është e rrezikshme.
Morali i kësaj satire politike?
Shqipëria nuk bëhet pa Zeqirin. Dhe kur “e reja” fillon me pazare të mbyllura, lista të mbyllura dhe familjarë të hapur për çdo mandat, atëherë nuk është vetëm daja që na pengon. Është vetë ideja se kjo politikë mund të bëjë ndonjëherë kthesë.
Sepse në fund, ndoshta nuk është Shqipëria që s’bëhet dot… por politika që nuk bëhet ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, nëse doni të bëheni deputetë, kujdes: gjeni një dajë. Jo për të folur, por për t’u futur në listë./Lexo.al