Mjeku i famshëm i estetikës lëviz i lirë në rrugët e Tiranës sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Mund të duket si skenar i një seriali, por është realiteti shqiptar. Skerdi Faria, i njohur gjerësisht si “mjeku i VIP-ave”, ishte zyrtarisht i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, për kontrabandë të botoksit dhe produkteve të tjera estetike të pakontrolluara. Por sot, vetëm disa muaj më vonë, ai shfaqet i lirë në Tiranë, madje edhe në publik,  ndërkohë që asnjë institucion nuk ka dhënë shpjegim se si është “zhbërë” kjo masë kërkimi.

Së fundmi, Skerdi Faria është parë në një video të publikuar nga kanali Andale.al në YouTube, ku merr pjesë në një event publik në Tiranë. Pamjet tregojnë qartazi se ai është i pranishëm fizikisht në aktivitet, në mes të qytetit, përballë kamerave dhe qindra të ftuarve. Dhe askush nuk reagon, qoftë edhe ta sqaroi këtë situatë, ndërkohë që për raste sporadike jepet njoftim dhe kur gjenden hajdutët e motorave pas dy vitesh nga shpallja në kërkim.

Faria nuk është një mjek i zakonshëm. Ai është një nga figurat më të njohura të estetikës në vend, me klientelë nga politika, showbiz-i dhe biznesi. Por kjo nuk mund dhe nuk duhet ta vendosë mbi ligjin.

Çfarë dimë deri tani:

  1. Në tetor 2024, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ndërmori një nga operacionet më të mëdha kundër kontrabandës së barnave dhe produkteve estetike, të koduar “Botulinum Toxin”.

  2. Skerdi Faria, në atë kohë administrator i klinikës “Keit”, u shpall në kërkim pas zbulimit të produkteve të kontrabanduara në ambientet e klinikës së tij.

  3. Ai nuk ndodhej në Shqipëri në momentin e aksionit sipas burimeve, ndodhej në Itali, ndërsa ndaj tij lëshohet urdhër-arrest ndërkombëtar.

  4. Sot, më pak se një vit më vonë, Skerdi Faria është kthyer në Tiranë, lëviz lirshëm dhe merr pjesë në evente publike, siç tregon edhe videoja e publikuar nga Andale.al në YouTube.

  5. Pavarësisht gjithë kësaj, Prokuroria dhe Policia nuk kanë dhënë asnjë sqarim publik.

Kush e pezulloi ose anuloi urdhër-arrestin për Skerdi Farian?

Nuk ka asnjë dokument publik apo deklaratë zyrtare që shpjegon statusin e tij ligjor sot. A është hetimi mbyllur? Është pushuar çështja? Apo kemi të bëjmë me një vendim të heshtur nën presion?

Si është e mundur që një person i shpallur në kërkim të hyjë dhe të lëvizë në Shqipëri pa u ndaluar?

Sistemi TIMS regjistron çdo hyrje-dalje në kufi. A është urdhri i kërkimit tërhequr në heshtje, apo është injoruar?

Pse Prokuroria e Tiranës nuk ka dalë asnjëherë publikisht për të sqaruar çështjen?

Për çështje shumë më të vogla, prokuroritë reagojnë me deklarata. Por në këtë rast, asnjë rresht. Asnjë transparencë. Apo dhe nga vetë Faria nuk ka një sqarim publik.

A kemi drejtësi me dy standarde?

Ky nuk është vetëm një rast penal. Është një test publik për integritetin e drejtësisë shqiptare. Si mund të kërkohet besim nga qytetarët, kur një person i shpallur në kërkim, për akuza si kontrabandë dhe evazion, rikthehet, shfaqet dhe vijon jetën pa pasoja?

Nëse ky është rasti i Skerdi Farias, çfarë ndodh me të tjerët që nuk janë të famshëm, nuk kanë lidhje, dhe nuk mbrohen nga asnjë “ombrellë”?

Operacioni “Botulinum Toxin”

Operacioni u zhvillua në tetor 2024 pas një hetimi disa mujor mbi kontrabandën e botoksit dhe produkteve të tjera estetike të palicencuara që përdoren në klinika të nivelit të lartë në Tiranë. U bastisën mbi 30 subjekte, u sekuestruan mallra me vlerë të konsiderueshme dhe u vendosën masa ndalimi ndaj disa mjekëve.

Skerdi Faria ishte një nga emrat kryesorë. Klinika e tij u përmend në çdo raport zyrtar. Por ndryshe nga të tjerët, ai nuk u arrestua kurrë. Dhe sot është kthyer si të mos ketë ndodhur asgjë.

A do flasë më në fund Prokuroria?

Publiku kërkon përgjigje. Mediat kanë raportuar. Pamjet e tij në Tiranë janë publike. Nëse ndaj Skerdi Farias nuk ka më hetim, Prokuroria duhet të dalë dhe ta thotë. Nëse ka, atëherë pse nuk është arrestuar? Kush e mbron?

Drejtësia nuk është luks për të zakonshmit. Dhe as favor për të pasurit. Nëse ka ligj në këtë vend, duhet të vlejë edhe për doktorët e VIP-ave./Lexo.al 

Punoi Hermes Kafexhiu