Një shkrim i publikuar së fundmi ka ngritur pretendime për një rrjet të organizuar korrupsioni brenda sistemit penitenciar në Shqipëri, duke përmendur takime të privilegjuara të personave të dënuar me të ashtuquajtura “VIP-e” apo “eskorta”, përfshirë dhe emra të njohur në publik. Artikulli i referohet rasteve të përfolura si të ndodhura brenda burgjeve të sigurisë së lartë në vend, duke ndërtuar një narrativë dramatike, e mbështetur kryesisht në burime anonime dhe supozime.
Në këtë rast, është e nevojshme të sqarojmë disa pika themelore për të ftohur diskutimin dhe për të mbajtur fokusin në të vërtetat strukturore dhe jo në anekdota të përpunuara emocionalisht.
Së pari, sistemi penitenciar, në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk është një mjedis steril apo i izoluar nga shoqëria. Përkundrazi, është shpesh strehë e problematikave të shoqërisë varfërisë, dhunës, korrupsionit, mungesës së kontrollit institucional dhe, natyrisht, marrëdhënieve ndërnjerëzore që, në raste të veçanta, marrin edhe natyrë të papërshtatshme apo të ndaluar. Por kjo nuk është një veçori shqiptare, as një tregues unik i sistemit tonë.
Për t’i vendosur gjërat në kontekst ndërkombëtar, në Britaninë e Madhe, një prej sistemeve më të zhvilluara penitenciare në Evropë, janë raportuar raste të shumta të marrëdhënieve intime mes të burgosurve dhe gardianëve apo punonjësve të stafit. Disa shembuj të dokumentuar përfshijnë:
Casey White dhe Vicky White në Alabama, SHBA, por e diskutuar gjerësisht në media britanike, një gardiane ndihmoi një të burgosur për të ikur nga burgu pasi kishte krijuar marrëdhënie me të.
Emma Presland, një punonjëse burgu në Britaninë e Madhe, u dënua për një lidhje me një të burgosur në një burg të sigurisë së lartë.
Në vitin 2021, sipas raportimeve të mediave britanike si The Independent dhe BBC, mbi 30 punonjëse të shërbimit të burgjeve në Britani u larguan nga puna apo u dënuan për marrëdhënie të papërshtatshme me të burgosur në më pak se 3 vjet.
Rasti tjetër është në Gusht të 2024 ku një gardiane në një burg të sigurisë së lartë mbeti shtatëzënë me një tër burgosur
Këto nuk janë përjashtime të pazakonta. Ato janë dëshmi se sistemi penitenciar, ashtu si çdo strukturë tjetër shtetërore që operon në kufijtë e kontrollit, ekspozohet ndaj sfidave dhe rasteve të abuzimit me detyrën ose pozicionin. Por këto raste nuk e përkufizojnë sistemin.
Prandaj, qëllimi i këtij përgënjeshtrimi nuk është të relativizojë apo të mohojë problemet reale që mund të ekzistojnë në burgjet shqiptare, përfshirë ato që lidhen me aksesin e padrejtë në shërbime apo trajtimin preferencial të disa të dënuarve. Është e drejtë që këto çështje të hetohen me seriozitet nga institucionet përkatëse dhe të ketë përgjegjësi kur provohen shkelje.
Por është e pandershme dhe e dëmshme të krijohet ideja se i gjithë sistemi është i kapur, apo se “çdo gjë është për shitje”, bazuar në lajme të mbështetura në burime të paidentifikuara dhe me tone senzacionaliste.
Në fund, burgjet nuk janë thjesht ndërtesa me mure të larta ato janë pjesë e një mekanizmi më të gjerë të drejtësisë dhe rehabilitimit. Ato nuk janë “jashtë historisë”, por pasqyrë e saktë e saj. Dhe si të tilla, meritojnë vëmendje profesionale, analizë të ekuilibruar dhe kritikë të argumentuar, jo thjesht përhapje emocionesh në funksion të klikimeve./Lexo.al