Sot pritet që temperaturat në vend të arrijnë deri në 43°C, duke tejkaluar shifrën e një dite më parë prej 42°C. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vlerat më të larta priten në qarqet Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Kukës temperaturat mund të shkojnë deri në 41°C.
Këto kushte ekstreme rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, që ka qenë veçanërisht shqetësues gjatë ditëve të fundit. Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar për një rrezik maksimal zjarresh në të gjithë territorin e vendit.
Ministria thekson se, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.
Kujtojmë se një ditë më parë, situata më e rënduar u regjistrua në Delvinë, ku disa fshatra u përfshinë nga flakët. Dëmet ishin të konsiderueshme, me banesa dhe sipërfaqe me pemëtari të shkrumbuara, çka detyroi Ministrinë e Mbrojtjes të urdhërojë evakuimin e banorëve. Zjarri, i nxitur nga era e fortë, ka avancuar në drejtim të Borshit, ndërsa situata vijon të jetë kritike edhe në malin e Dukatit.