Tiranë, 28 Korrik 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përkujtuar sot 103-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thekson rëndësinë e këtij partneriteti dhe bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve.
“Sot festojmë 103 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Jemi krenarë për partneritetin tonë me Shqipërinë për të çuar përpara sigurinë, forcën dhe mirëqenien tonë të përbashkët,” thuhet në postimin zyrtar.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë vendosur për herë të parë më 28 korrik 1922. Që prej rikthimit të plotë të lidhjeve pas rënies së regjimit komunist, SHBA ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë në fushat e sigurisë, drejtësisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik.