Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet mbi dosjen e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit, ndërsa ka nisur me komunikimin formal të akuzave.
Bëhet me dije se Kryemadhi do të paraqitet para prokurorëve të posaçëm ditën e mërkurë. Momentalisht ende nuk dihet se kur do t’i komunikohen akuzat presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, pritet të paraqitet sot në ambientet e SPAK. Nga tjetër Ema Çoku është paraqitur aktualisht në Prokurorinë e Posaçme dhe po njihet me akuzat e hetuesve.
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.