Në një konferencë për media më 22 korrik, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se situata e sigurisë, në përgjithësi, është e qetë dhe stabile.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të saj. Nuk është se gjithmonë kanë qenë – apo fare herë kanë qenë – në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, tha Hoxha.
Eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha, nuk e përjashton mundësinë që shërbimet e vendeve jo mike veçanërisht ato serbe – të jenë duke shfrytëzuar momentin.
Ai thotë se periudhat e pasigurisë politike, si ajo që po kalon aktualisht Kosova, janë zakonisht të favorshme për aktivitete të padukshme si spiunazhi.
Megjithatë, thekson se këto veprime nuk janë domosdoshmërisht të reja apo të lidhura vetëm me periudhën e fundit, pavarësisht arrestimeve.
Çfarë synon të dëmtojë spiunazhi?
Hoxha, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, shpjegon se spiunazhi, në thelb, synon dëmtimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.
“Ky aktivitet përpiqet të dobësojë dhe komprometojë institucionet e shtetit, të shkaktojë dëme ekonomike, të nxisë konflikte të brendshme dhe veprime të tjera, që minojnë funksionimin normal të shtetit dhe krijojnë perceptimin e një shteti të dështuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Po në të njëjtën frymë, Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, paralajmëron se inteligjenca serbe nuk ndalet për asnjë moment në përpjekjet për të destabilizuar Kosovën nga brenda.
Sipas tij, ajo përdor çdo mundësi për të minuar themelet e shtetit dhe të demokracisë.
“Serbia po vazhdon luftën speciale ndaj Kosovës, përfshirë këtu aktivitetet e spiunazhit, sabotimit, ndikimit në vendimmarrje dhe influencimit të komunitetit serb”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.
Viteve të fundit, disa persona janë shpallur të padëshirueshëm në Kosovë dhe janë dëbuar, për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare.
Derisa dëmet e shkaktuara është vështirë të maten, sipas ekspertëve, Serbia vazhdimisht mohon se është e përfshirë në aktivitete të tilla në Kosovë.
A është Kosova mjaftueshëm e përgatitur?
Përgjigjja nga të dy ekspertët është e prerë: po.
Ramadani thekson se Kosova ka punuar vazhdimisht për të forcuar kapacitetet e saj kundër këtij kërcënimi.
“Arrestimet dhe përballja me drejtësinë janë instrumente që parashihen në këto raste kur është e domosdoshme. Ndërsa, pjesa tjetër e aktiviteteve përballuese lidhet me dobësimin dhe zhvleftësimin e këtyre ndërhyrjeve”, thotë ai.
Hoxha, në anën tjetër, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e inteligjencës, i cili, sipas tij, “është në nivel të shkëlqyer”.
“Kosova, fatmirësisht, e ka ndërtuar kornizën ligjore për funksionimin e duhur të mekanizmave kompetentë në fushën e sigurisë”, thotë ai.
Me Kodin Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burg, nëse konfirmohet fajësia.
Serbia si kërcënim i vazhdueshëm
Javëve të fundit, udhëheqja shtetërore e Kosovës ka rritur veçanërisht zërin ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si burim të vazhdueshëm kërcënimi për sigurinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani tha më 15 korrik se Serbia, vazhdimisht, përpiqet ta destabilizojë Kosovën edhe me “akte agresioni”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bëra pas arrestimit të një zyrtari serb nga autoritetet kosovare, duke i quajtur ato kërcënuese dhe destabilizuese.
Vuçiç paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u dërgua në paraburgim për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Kurti, po ashtu, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi, siç tha, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Përshkallëzimi i fundit i madh i situatës në Kosovë ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.
Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist dhe të orkestruar nga Serbia, por Beogradi mohoi çdo përgjegjësi.
Në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, Serbia përshkruhet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Republikën e Kosovës.
Për rrezikun e vazhdueshëm të tensioneve në Kosovë paralajmëroi këtë muaj edhe një raport i inteligjencës kroate.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës, Valdet Hoxha, thekson nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe masa të adaptueshme.
Ai sugjeron përforcimin e bashkërendimit institucional, rritjen e bashkëpunimit me partnerët strategjikë dhe harmonizimin e kornizës ligjore, për të përballuar kërcënime – si spiunazhi e të tjera – në mënyrë efektive./REL