Një status i publikuar sot nga Endri Shabani ka ndezur debatet brenda koalicionit dhe ka rikthyer në vëmendje temën e ndjeshme të premtimeve për dorëheqje nga kandidatët e listës së fiksuar.

Shabani, një nga zërat themelues të Lëvizjes, ka sqaruar se premtimi për dorëheqje as nga ana e Adriatikut dhe as nga ana e Zeqirit nuk ka qenë pjesë formale e marrëveshjes së koalicionit. Por në të njëjtin postim ai nënvizon se 46 kandidatë të listës së fiksuar kanë dhënë fjalën që do të tërhiqeshin, për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur. Një angazhim moral, jo ligjor – por me një peshë të veçantë në kulturën politike shqiptare: “Në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa.”

Pikërisht në këtë kontekst, Shabani ngre një dilemë të drejtpërdrejtë: Pse po i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Dhe nëse kryetari nuk mban fjalën i pari, “me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, shkruan ai.

Në statusin e tij, ai publikon gjithashtu edhe marrëveshjen e koalicionit, në të cilën nuk gjendet asnjë detyrim i qartë për dorëheqje nga ana e kandidatëve. Kjo, sipas tij, përforcon faktin se çdo zotim i bërë ka qenë individual dhe moral.

“Po funksionon vallë parimi: ‘bëj si të them unë, jo si bëj unë’?,” pyet Shabani në fund të postimit të tij, duke vënë në qendër të debatit koherencën morale të lidershipit politik.

Për momentin, nuk ka ende një reagim nga ana e Adriatikut apo strukturave të tjera të koalicionit, por statusi i Shabanit pritet të thellojë debatet për mënyrën si trajtohen angazhimet publike dhe barazia mes kandidatëve.